LSDM, pse fshihen dokumentet për ujin në Gostivar
LSDM ka kërkuar nga qeveria dhe kryeministri Hristijan Mickoski...

LSDM ka kërkuar nga qeveria dhe kryeministri Hristijan Mickoski, të publikojnë dokument zyrtar, analizë apo rezultat që konfirmon se uji në Gostivar është i sigurt për pije. Nga LSDM pyesin se pse fshihet dokumenti zyrtar për ujin në Gostivar?
"Thirrjet e Mickoskit janë të kota kur dokumenti nuk publikohet dhe fshihet nga qytetarët. Dhe e dimë se fshehja e rezultateve deri në çfarë katastrofe mund të çojë. Që nga fillimi i krizës me helmimin në Gostivar, nuk ka dalë asnjë ekspert për të bërë publike rezultatet e analizave të ujit. Pushteti nuk ka publikuar asnjë dokument zyrtar për ujin. Qytetarët nuk kanë parë asnjë institucion apo person përgjegjës që të qëndrojë pas sigurisë së ujit. Mickoski, nga ekskursioni, e “lejoi” ujin për konsum në Gostivar, por dokumenti për sigurinë e tij ende mungon. Klekovski, i cili gjithashtu ishte në ekskursion, ende nuk është prononcuar, edhe pse vetë kishte paralajmëruar se rezultatet e para do të ishin rreth datës 20 gusht.” – u shpreh Maja Borozan nga LSDM.
VMRO-DPMNE, uji në Gostivar është i pijshëm, LSDM po krijon panikë
Por nga VMRO-DPMNE u kundërpërgjigjën se LSDM po tenton të krijojë panikë edhe pse insitutcionet konfirmuan se uji në Gostivar është i pijshëm. VMRO-DPMNE potencoi edhe pretendimet e pa vërteta që vinin në pikëpyetje cilësinë e ujit në Shkup, që u demantuan menjëherë nga autoritetet.
“Për ujin në Shkup u publikuan pretendime që institucionet kompetente i demantuan menjëherë. Sa i përket Gostivarit, analizat e fundit treguan se uji përsëri është i sigurt për t’u pirë. Në vend që këto informacione të përshëndeten, LSDM-ja vazhdon me përpjekjet për të krijuar dyshime. Pyetja është e thjeshtë: pse LSDM-së i pengon kur institucionet tregojnë se sistemi funksionon dhe se problemi është zgjidhur? Është e qartë se, përveç krijimit artificial të krizave, frikës dhe panikut, nuk kanë çfarë të ofrojnë.” – tha Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Uji në Gostivar është i sigurt për t’u pirë, institucionet po e monitorojnë situatën, ndërsa LSDM-ja duhet ta kuptojë më në fund se përhapja e panikut nuk ndërton besim te qytetarët, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Ndryshe nga 14 gushti autoritetet thane se në çezmet e Gostivarit sërish rrjedh ujë i pijshëm. Analizat laboratorike të kryera nga ana e Institutit të Shëndetit Publik të RMV-së dhe nga Ndërmarrja Publike për Ujësjellës dhe Kanalizim në Shkup, kanë konstatuar se uji në Gostivar është i pijshëm, kanë bërë të ditur nga Agjensia për ushqim dhe veterinari. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
