Rusi–Ukrainë, përshkallëzohen sulmet ajrore, rrëzohen mbi 800 dronë
Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë është përshkallëzuar...

Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë është përshkallëzuar. Autoritetet ruse njoftuan se gjatë natës vendi u përball me një nga sulmet më të mëdha me dronë që nga fillimi i vitit. Sipas tyre, sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan ose neutralizuan më shumë se 800 dronë ukrainas.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, dronët u interceptuan në 17 rajone të Rusisë, kryesisht në jug dhe në perëndim të vendit. Rajoni i Moskës ishte ndër zonat më të goditura.
“Gjatë natës, forcat e mbrojtjes ajrore dhe mjetet e luftës elektronike rrëzuan dhe neutralizuan 187 dronë”, thuhet në komunikatën e guvernatorit të rajonit të Moskës, Andrei Vorobjov.
Ndër objektivat e goditura ishte edhe një magazinë e madhe e kompanisë “Wildberries” në rajonin e Moskës.
Sipas ushtrisë ukrainase, magazina kishte një sipërfaqe prej rreth 250 mijë metrash katrorë. Kievi e akuzon “Wildberries” për përfshirje në furnizimin e ushtrisë ruse.
Ndërkohë, derisa Ukraina godiste objektiva thellë në territorin rus, Rusia vazhdoi sulmet ndaj Ukrainës. Kievi u vu sërish në shënjestër të një sulmi të kombinuar me dronë dhe raketa.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përmes një shkrimi në rrjetët sociale njoftoi se të paktën gjashtë persona u plagosën në Kiev dhe në rajonin përreth.
Në Kryvyi Rih, dy persona u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën. Një person u vra në Sumi.
“Ngushëllimet e mia për familjet dhe të afërmit e tyre. Vetëm gjatë kësaj jave, 13 rajone janë sulmuar. Armiku ka lëshuar ndaj qyteteve dhe komuniteteve tona më shumë se 1.550 dronë sulmues, rreth 1.560 bomba ajrore të drejtuara dhe 62 raketa, shumica e të cilave raketa balistike të llojeve të ndryshme”. - njoftoi Zelensky.
Sulmet dhe kundërsulmet po rrisin edhe më tej tensionet, ndërsa pasojat e konfliktit po ndihen përtej kufijve të Rusisë dhe Ukrainës. Një dron i paidentifikuar u rrëzua gjithashtu në hapësirën ajrore të Rumanisë, sipas autoriteteve rumune.
Droni u interceptua nga një avion luftarak spanjoll F-18, i angazhuar në misionin e NATO-s për mbikëqyrjen e hapësirës ajrore.
Sipas Ministrisë rumune të Mbrojtjes, ky ishte droni i katërt i rrëzuar mbi territorin rumun këtë vit.
Radarët zbuluan se droni kishte hyrë në hapësirën ajrore rumune nga drejtimi i Moldavisë, ndërsa pjesë të tij ranë në një zonë të pabanuar mes dy fshatrave. Përshkallëzimi i sulmeve me dronë, përdorimi i raketave dhe shtrirja e incidenteve përtej kufijve të dy vendeve tregojnë se lufta vazhdon të mbetet një kërcënim për sigurinë e rajonit. (Armend Murseli, TVM2)
