Botë
ShBA–Iran, skadon afati 60-ditor, marrëveshja larg
17.08.2026 16:36
Ka skaduar afati 60-ditor i përcaktuar në qershor për arritjen...

Ka skaduar afati 60-ditor i përcaktuar në qershor për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme mes SHBA-së dhe Iranit, por Uashingtoni dhe Teherani duket se janë më larg marrëveshjes se kurrë.
Presidenti amerikan Donald Trump i bëri thirrje Iranit të dorëzohet.
Në një intervistë telefonike për Fox News, Trump tha se Irani duhet të “ngrejë flamurin e bardhë të dorëzimit”, ndërsa konfirmoi se Uashingtoni mban një kanal të fshehtë komunikimi me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit.
“Qëllimi numër një është dhe gjithmonë do të jetë që Irani të mos ketë, në asnjë mënyrë, formë apo rrethanë, një armë bërthamore”, deklaroi Trump.
Trump: Irani të ngrejë “flamurin e bardhë”
Trump ka kërcënuar gjithashtu me veprime ushtarake kundër Omanit nëse ai ndërhyn në negociatat mes SHBA-së dhe Iranit.
“Nëse Omani pengon, do t’i bombardojmë pa mëshirë”, tha Trump, duke iu referuar rolit të Omanit në negociatat për Iranin dhe Ngushticën e Hormuzit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, e cilësoi afatin 60-ditor si të parëndësishëm. Sipas tij, memorandumi i 18 qershorit parashikonte 60 ditë për diskutime mbi heqjen e sanksioneve dhe programin bërthamor, por jo një afat të detyrueshëm për arritjen e marrëveshjes.
“Në tekstin e memorandumit nuk ka asnjë pikë që përcakton një afat 60-ditor dhe Republika Islamike e Iranit nuk i formulon kurrë politikat e saj nën presion, ultimatume apo kufizime kohore”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Iraniane, Esmaeil Baghaei.
Baghaei akuzoi SHBA-në për shkelje të memorandumit, duke thënë se pengesa kryesore për dialogun është qëndrimi i Uashingtonit.
Memorandumi i qershorit parashikonte ndërprerjen e operacioneve ushtarake dhe 60 ditë negociata për përfundimin e konfliktit dhe arritjen e një marrëveshjeje për programin bërthamor iranian.
Parashikohej gjithashtu rihapja e Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme të transportit të naftës dhe gazit në botë.
Formalisht, afati mund të zgjatet nëse Uashingtoni dhe Teherani bien dakord. Por deri tani nuk ka marrëveshje as për zgjatjen e afatit, ndërsa çështjet kryesore, Ngushtica e Hormuzit, bllokada amerikane dhe programi bërthamor iranian mbeten të pazgjidhura.
ARMEND MURSELI
