Maqedoni

ARM shënon përvjetorin, fokusi te modernizimi dhe sfidat e reja të sigurisë

18.08.2026 14:28

Armata e Maqedonisë së Veriut shënon 34-vjetorin e themelimit...

Armata e Maqedonisë së Veriut shënon 34-vjetorin e themelimit, duke e shënuar këtë përvjetor si një forcë moderne, bashkëkohore dhe plotësisht të ndërveprueshme brenda sistemit të sigurisë euroatlantike. Përmes pjesëmarrjes në misione ndërkombëtare, ARM konfirmon vazhdimisht rolin e saj si aleat i besueshëm i NATO-s dhe si faktor i rëndësishëm për sigurinë rajonale. Në ceremoninë qendrore për shënimin e Ditës së Ushtrisë, të mbajtur në Ohër, Komandantja Supreme, presidentja Gordana Siljanovska Davkova, duke iu referuar sfidave të reja të sigurisë, theksoi se mbrojtja moderne duhet të jetë e gatshme të përballet edhe me forma të reja kërcënimesh, përfshirë ato në hapësirën kibernetike dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale.
 
“Unë besoj fuqimisht se sa më e sigurt të jetë pozicioni ynë mbrojtës, aq më thelbësor është kontributi ynë në sigurinë e përbashkët. Kjo është arsyeja pse forcimi i kapaciteteve tona është mënyra e duhur për të forcuar pozicionin tonë në aleancë si një anëtar serioz dhe i besueshëm, të cilit mund t'i besohet dhe t'i mbështetemi… ARM jo vetëm që përmbush standardet e NATO-s, por i shndërron ato në praktikën e vet, dhe provë për këtë janë vlerësimet e larta të Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë dhe pjesëmarrja e 183 anëtarëve të Ushtrisë në misione dhe operacione paqeruajtëse ndërkombëtare.”, u shpreh presidentja Gordana Siljanovska Davkova.
 
Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, e cilësoi ARM-në si shtyllë të stabilitetit dhe sigurisë së shtetit, duke theksuar se procesi i modernizimit po zhvillohet sipas dinamikës së planifikuar. Misajllovski paralajmëroi edhe zgjidhje të reja ligjore për ushtarët profesionistë që kanë mbushur moshën 45-vjeçare, rritje të pagave duke filluar nga viti i ardhshëm dhe përmirësimin e infrastrukturës së kazermave, ku në periudhën e ardhshme janë planifikuar investime prej mbi 12 milionë eurosh.
 
“Procesi i modernizimit të Armatës po realizohet në përputhje me të gjitha planet tona. Automjetet e blinduara JLTV dhe Stryker, sistemet e artilerisë Boran, shumica e sistemeve të mbrojtjes ajrore Mistral 3 janë dorëzuar tashmë, dhe dy helikopterët e parë të rinj priten deri në fund të vitit.”, u shpreh ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.
 
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, tha se ARM edhe këtë vit ka dëshmuar pjekurinë operative dhe gatishmërinë për t'u përballur me sfidat bashkëkohore të sigurisë.
 
“Realizimi i suksesshëm i stërvitjes “Rapid 26” “Blesok 26” dhe vlerësimi i Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë,  janë konfirmim i aftësive dhe profesionalizmit të arritur të pjesëtarëve të ushtrisë. Fitimi i statusit “i gatshëm për luftë” nuk është vetëm një njohje formale. Është konfirmim se pas këtij rezultati qëndrojnë mijëra orë stërvitje, planifikim, përgatitje, ushtrime, sakrifica dhe përkushtim profesional.”, u shpreh shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ARM-së, Sashko Lafçiski.
 
Në kuadër të ceremonisë u ndanë dekorata dhe mirënjohje për njësitë e Ushtrisë, institucionet dhe pjesëtarët e ARM-së, në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe përmbushjen e detyrave.
 
ABIBE QAILI