Botë

Rriten tensionet në Lindjen e Mesme, Trump nuk tërhiqet: Irani nuk do të ketë armë bërthamore

18.08.2026 14:35

SHBA e hedhi poshtë mundësinë e vazhdimit të armëpushimit me Iranin...

SHBA e hedhi poshtë mundësinë e vazhdimit të armëpushimit me Iranin, pas skadimit të afatit 60-ditor të paraparë me memorandumin. Trumpi deklaroi se Teherani nuk duhet të posedojë armë bërthamore dhe se Uashingtoni nuk pret marrëveshje sipas kushteve që kërkon Irani.
 
“Ata duan të arrijnë një marrëveshje, por nuk do ta arrijnë marrëveshjen që unë e konsideroj të nevojshme. Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe nuk do t’i ketë.”, tha presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
 
Teherani nuk e konsideron skadimin e afatit si fund të marrëveshjes, duke thënë se ai ishte paraparë për negociata dhe se SHBA-ja ka shkelur detyrimet. Irani refuzon ultimatume dhe paralajmëron reagim ushtarak nëse diplomacia dështon. Ndërkohë, me Omanin është arritur marrëveshje për transitin përmes ngushticës së Hormuzit.
 
“Janë ndërmarrë përgatitjet dhe masat e nevojshme paraprake, përfshirë edhe për mundësinë që SHBA-ja të vazhdojë me veprimet e saj dashakeqe kundër Iranit.”, u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghai.
 
Omani, ndërkohë, u vu në shënjestër të kërcënimeve nga Trumpi, i cili deklaroi se Uashingtoni, do të merret lehtësisht“ me vendin nëse ai pengon procesin. Tensionet u rritën më tej pasi një anije u godit nga një raketë në ngushticën e Hormuzit, ku humbi jetën një anëtar i ekuipazhit. OKB-ja u bëri thirrje Uashingtonit dhe Teheranit që të rifillojnë negociatat dhe të shmangin veprimet ushtarake.
 
“Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë konflikt. I bëjmë thirrje Iranit dhe SHBA-së që sa më shpejt të rifillojnë negociatat për një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme, të shmangin veprimet ushtarake dhe të ulin retorikën e ashpër.”, u shpreh zëdhënësi i OKB-së, Stefan Duxharik.
 
Përpjekjet diplomatike nuk po sjellin qetësim as në Gazë. Dështoi përpjekja e Uashingtonit për të arritur përparim drejt një armëpushimi pas takimeve të Kushnerit me Hamasin dhe Netanyahun. SHBA-ja kërkon çarmatimin e Hamasit, ndërsa Izraeli këmbëngul për garanci të sigurisë.
 
“Jemi të përkushtuar për rindërtimin e Gazës, por nuk do të lejojmë që ajo të rindërtohet derisa të realizohet demilitarizimi. Përparim mund të ketë tashmë gjatë 30 ditëve të ardhshme, por na nevojitet bashkëpunimi i të dyja palëve.”, tha i dërguari i posaçëm i SHBA-së për paqe, Jared Kushner.
 
Ndërsa përpjekjet diplomatike vazhdojnë, sulmet dhe përgatitjet ushtarake nuk po ndalen. Pentagoni nënshkroi një kontratë prej 22.9 miliardë dollarësh për përshpejtimin e prodhimit të raketave „Tomahawk“, gjë që e forcon edhe më tej përshtypjen për përgatitje për një konfrontim afatgjatë.
 
ARMEND MURSELI