Ekonomi
VLEN: Inflacioni në ulje, gjendja po stabilizohet
18.08.2026 15:00
Koalicioni VLEN pretendon se prej kur ky koalicion është pjesë e Qeverisë inflacioni ka shënuar ulje të dukshme...

Koalicioni VLEN pretendon se prej kur ky koalicion është pjesë e Qeverisë inflacioni ka shënuar ulje të dukshme. Sipas Driton Sulejmanit nga VLEN, inflacioni para dy viteve ishte 4.5 për qind, ndërsa tani inflacioni vjetor në korrik ka rënë në 2,3 për qind.
“Inflacioni vjetor në korrik ka rënë në 2,3 për qind. Këtë e tregojnë të dhënat zyrtare të Entit shtetëror për statistikë. Para dy vitesh, kur morëm përgjegjësinë për drejtimin e institucioneve, inflacioni vjetor ishte 4,5 për qind. Në korrik të këtij viti është 2,3 për qind. Por inflacioni më i ulët tregon se gjendja po stabilizohet. Gjatë kësaj periudhe janë ndërmarrë masa për mbrojtjen e standardit të qytetarëve. Ka vazhduar zbatimi i Ligjit për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare, Ulja e akcizës së derivateve. Por Qytetarëve u duhen vende pune, të ardhura dhe mundësi, për këtë qëllim po zbatohet Plani Operativ për Punësim, me rreth 40 milionë euro të parashikuara për punësim, vetëpunësim, trajnime dhe aftësim profesional.”, u shpreh Driton Sulejmani nga VLEN.
Sulejmani numëron disa nga shkaqet e uljes së normës së inflacionit.
“Mendojmë se kemi arrit deri tek një stabilizim I çmimeve, ka pasur disa herë shporta e Ramazanit, shporta e vitit të ri, pra kemi intervenuar atëherë kur kemi parë se çmimet po lëvizin në drejtim jo të duhur. Por edhe zbritja e çmimeve të derivative e kanë pasur ndikim e vet.”, tha Sulejmani.
Nga ana tjetër pikërisht Enti Shtetëror i Statistikave, sot ka dalur me informacione të reja të cilat tregojnë se çmimet në bujqësi në muajin korrik të vitit 2026 krahasuar me muajin korrik të vitit paraprak janë më të ulëta për 6.8 për qind te prodhimet bimore, ndërsa në pjesën e inputit janë më të larta për 3.7 për qind.
FITIM KRYEZIU
