Këshilli i ambasadorëve rikthehet në Shkup, Mucunski: Diplomaci më aktive dhe e koordinuar

18.08.2026 15:05

Pas disa vitesh, shefat e përfaqësive diplomatike...

Pas disa vitesh, shefat e përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Maqedonisë së Veriut do të mblidhen sërish në Shkup. Të enjten dhe të premten do të mbahet Këshilli i Ambasadorëve, me të cilin Ministria e Jashtme synon të forcojë koordinimin dhe të përcaktojë drejtimet e diplomacisë së vendit.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, tha se qëllimi është që ambasadorët të mos veprojnë të shkëputur nga njëri-tjetri, por të kenë një qasje të përbashkët për prioritetet e politikës së jashtme.

“Këshilli i Ambasadorëve është një mekanizëm jashtëzakonisht i rëndësishëm për koordinimin strategjik të politikës sonë të jashtme. Për herë të parë pas disa vitesh, ne do t’i kemi të gjithë ambasadorët tanë këtu, në Shkup, dhe do të mund të diskutojmë hapur për sfidat, prioritetet dhe mënyrën se si duhet ta përfaqësojmë më mirë shtetin tonë jashtë vendit.” – tha Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski.

Në fokus do të jenë prioritetet e politikës së jashtme, marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, procesi eurointegrues, por edhe mënyra se si diplomacia mund të përdoret më shumë për të tërhequr investime dhe për të promovuar interesat ekonomike të vendit.

Këshilli vjen në një periudhë kur Shkupi kërkon një rol më aktiv në politikën rajonale dhe evropiane. Në të njëjtën kohë, një nga sfidat kryesore mbetet marrëdhënia me Bullgarinë dhe rruga drejt Bashkimit Evropian.

I pyetur për dialogun me Sofjen, Mucunski tha se ai vazhdon, por përsëriti se për Qeverinë ekzistojnë çështje për të cilat nuk pranon kompromis.

“Dialogu me Bullgarinë nuk është ndërprerë. Ne vazhdojmë të kërkojmë një zgjidhje, por ajo zgjidhje duhet të jetë e qëndrueshme dhe të na japë garanci se nuk do të përballemi me kërkesa të reja. Historia, identiteti, gjuha dhe kultura janë çështje që për ne paraqesin vija të kuqe.” – u shpreh Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski.

Mucunski tha se Shkupi pret garanci edhe nga institucionet evropiane, në mënyrë që procesi i integrimit të mos shoqërohet me kushte të reja dypalëshe. (Sanije Duraku, TVM2)