Sulme masive me dronë mbi Moskë, Rusia raporton mbi 190 mjete të rrëzuara
Dronë ukrainas goditën Moskën...

Dronë ukrainas goditën Moskën. Sipas Rusisë, ky ishte një nga sulmet më masive të dy viteve të fundit. Mbrojtja ajrore njoftoi se ka rrëzuar mbi 190 mjete fluturuese pa pilot. U godit edhe një magazinë e kompanisë më të madhe ruse të tregtisë online, ku shpërtheu zjarr.
Dronët dëmtuan edhe objekte të tjera, ndërsa të paktën tre persona u plagosën.
Zelenski njoftoi për forcimin e njësive ukrainase dhe vazhdimin e sulmeve me rreze të gjatë veprimi.
“Ne po vazhdojmë operacionet me rreze të gjatë veprimi. Prioritetet për sulmet në thellësi deri në shtator tashmë janë përcaktuar, ndërsa po punojmë edhe për sigurimin e financave dhe burimeve shtesë për këto operacione.” – tha Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Kievi raportoi për sulme vdekjeprurëse ruse në Zaporizhje dhe Harkiv. Autoritetet vazhdojnë të vlerësojnë pasojat e sulmeve.
“U largova vetëm 20 minuta para sulmit. Fqinja më telefonoi dhe më tha se kishte pasur një sulm diku në zonën tonë. Kur u ktheva, shtëpia fqinje po digjej, ndërsa në tonën gjithçka ishte shkatërruar. Të gjitha dritaret ishin thyer. Edhe çatia ishte dëmtuar, pasi një dron e kishte goditur nga lart.”
Moska paralajmëroi Britaninë e Madhe për pasoja, pas raportimeve se dronë britanikë janë përdorur në sulme ndaj objektivave në thellësi të territorit rus.
“Veprimet e Londrës në mënyrë të pashmangshme do të kenë pasoja, për të cilat ajo do të duhet të përgjigjet”, - deklaruan Ambasada ruse.
Nga Moska paralajmëruan se sa më e madhe të jetë përfshirja dhe mbështetja e Britanisë për Ukrainën, aq më i lartë do të jetë çmimi që do të paguajë Londra. (Armend Murseli, TVM2)
