Rajon
PDK bllokon hyrjen e Qeverisë: Kurti nuk mund ti mbajë dy poste
19.08.2026 13:46
Deputetët e PDK-së prej pesë ditësh vazhdojnë aksionin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës...

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës prej pesë ditësh vazhdojnë aksionin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste për mos thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit. Ata tentojnë ta pengojnë futjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti në objektin e qeverisë meqë sipas tyre pas betimit të tij si deputet, ai nuk mund ti ushtrojë dy funksione.
“Është një vendim i gjykatës supreme të cilin besoj se edhe sekretari i ministrisë duhet me respektu. Ai vendim thotë që nuk mundesh me i mbajt dy poste dhe rrjedhimisht nuk duhet ti lejohet të futet brenda por nuk është faji juaj.”, u shpreh Artan Behrami nga PDK.
Prodhuesit kosovarë: Askush nuk po merret seriozisht me hallet tona
Aksionit të PDK-së i janë bashkuar edhe prodhuesit, duke kërkuar konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve, në mënyrë që problemet me të cilat po përballen fermerët, prodhuesit dhe bizneset të trajtohen institucionalisht.
“Kur Kuvendi nuk funksionon dhe vendi mbahet në bllokadë, askush nuk merret seriozisht me hallet tona. Nuk ka debat për mbështetjen e prodhuesve, për subvencionet, për tregun, për mbrojtjen e prodhimit vendor apo për politikat që duhet të na mbrojnë. Ne nuk kërkojmë privilegj, kërkojmë që shteti të jetë partner i prodhuesve të vendit.”, theksoi Abedin Ramadani, prodhues i drithërave dhe qumështit.
Edhe LDK dhe Aleanca kërkojnë konstituimin e kuvendit, por nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se presin marrëveshje për zgjedhjen e presidentit e cila do ti jepte fund ngërçit institucional. Pikërisht çështja e presidentit ishte temë e takimit të së martës mes kreut të vetëvendosjes Albin Kurti dhe atij të LDK-së Lumir Abdixhiku, të cilët pas takimit deklaruan se janë dakorduar për kriteret e një presidenti konsensual dhe pas konsultimeve brenda partiake, në takimin e radhës pritet të dalin me emra konkret të kandidatëve për president.
GYLTENE SINANI
