Botë

SHBA shtyn tarifat ndaj Kanadasë, vijojnë negociatat për marrëveshjen tregtare

19.08.2026 15:43

SHBA-ja ka shtyrë deri më 21 gusht vendosjen e tarifave të reja doganore ndaj një sërë produktesh kanadeze...

SHBA-ja ka shtyrë deri më 21 gusht vendosjen e tarifave të reja doganore ndaj një sërë produktesh kanadeze, në mënyrë që të përfundojë finalizimi i dokumenteve të marrëveshjes tregtare mes dy vendeve. Vendimi i Trumpit erdhi më pak se dy orë para se të hynte në fuqi tarifa prej 50 për qind për pothuajse 20 miliardë dollarë importe kanadeze.
 
“I pezullova tarifat prej 50 për qind ndaj Kanadasë për një periudhë prej tri ditësh, bazuar në faktin se Kanadaja dhe SHBA-ja, në varësi të finalizimit të dokumenteve, kanë një marrëveshje!”, shkroi Trump në Truth Social.
 
Vendimi për shtyrjen e tarifave vjen pas disa ditësh negociatash intensive mes dy vendeve, për të cilat kryeministri kanadez tha se ishin „shumë delikate dhe intensive“. Carney vlerësoi se është arritur përparim i konsiderueshëm.
 
“Gjatë javëve të fundit, Kanadaja është përfshirë në bisedime intensive me SHBA-në për zgjidhjen e çështjeve tregtare dhe sigurimin e një sigurie më të madhe dhe përfitimeve konkrete për bizneset, punëtorët, fermerët dhe familjet kanadeze. Është arritur përparim i konsiderueshëm, megjithëse ende ka punë të rëndësishme për t’u bërë. Ndërsa kjo punë vazhdon, SHBA-ja është pajtuar ta shtyjë zbatimin e tarifës së saj doganore.”, thuhet në letrën zyrtare të kryeministrit kanadez.
 
Tarifat e propozuara do të preknin produktet e qumështit, alkoolit dhe produkte tjera që përbëjnë rreth pesë për qind të vlerës së përgjithshme të importeve amerikane nga Kanadaja vitin e kaluar. Ekspertët e tregtisë paralajmëruan se tarifat e reja mund të çonin në humbjen e vendeve të punës dhe mbylljen e kompanive në sektorët më të cenueshëm.
 
ARMEND MURSELI