VMRO-DPMNE: Maqedonia po bëhet nyje energjetike

19.08.2026 15:44

Investimet në lidhjet energjetike dhe infrastrukturë VMRO DPMNE i sheh si një nga mundësitë më të mëdha...

Investimet në lidhjet energjetike dhe infrastrukturë VMRO DPMNE i sheh si një nga mundësitë më të mëdha për zhvillimin ekonomik të vendit. Nga kjo parti thonë se me projektin e lidhjes me Shqipërinë, së bashku me lidhjet ekzistuese me Bullgarinë, Serbinë, Kosovën dhe Greqinë, po krijojmë kushte që Maqedonia të integrohet plotësisht në sistemin rajonal elektroenergjetik.

“Linja interkonektuese e transmetimit Manastir-Elbasan është një pjesë e rëndësishme e mbylljes së boshllëkut energjetik që për vite me radhë ekzistonte në Korridorin 8 dhe krijon mundësi për transmetim më të sigurt të energjisë elektrike dhe lidhje më të madhe ndërmjet vendeve të rajonit. Të njëjtën politikë e ndjekim edhe në fushën e gazit natyror. Ka filluar dhe tashmë është në fazën përfundimtare ndërtimi i interkonektorit të gazit me Greqinë, një investim me vlerë rreth 60 milionë euro, me kapacitet fillestar prej 1.5 miliardë metra kub në vit, i cili mund të rritet deri në 3 miliardë.”, u shpreh Angelinka Petkova nga VMRO-DPMNE.
 
Hapi i ardhshëm është lidhja me Serbinë thonë nga VMRO-DPMNE. Me realizimin e interkonektorit verior, Maqedonia do të ketë mundësi të bëhet vend transit për gazin që vjen nga jugu, nga terminali në Aleksandrupoli dhe nga tregje të tjera eksportuese, drejt Evropës Qendrore, thonë nga kjo parti.
 
“Projekte të tjera që e pozicionojnë Maqedoninë si një udhëkryq në Ballkan përfshijnë vënien në punë të tubacionit që lidh Portin e Selanikut me OKTA-n, rifillimin e punës së gazsjellësve Veles-Shtip dhe Gostivar-Kërçovë, si dhe segmentin që shtrihet nga Tetova drejt Kosovës.”, u shpreh Angelinka Petkova nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM: Fermerët po e paguajnë dështimin e Qeverisë
 
Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE po punon që Maqedonia të jetë e lidhur, energjetikisht e sigurt dhe e njohur si një nyje e rëndësishme energjetike dhe infrastrukturore në rajon, theksojnë nga partia Maqedonase në pushtet. Por nga LSDM kanë dalur me kritika se fermerët po e paguajnë çmimin e dështimit të qeverisë.
 
“Fermeri që e ka prodhuar rendimentin nuk jeton nga deklaratat. Ai jeton nga çmimi, afati i blerjes dhe pagesa. Subvencionet vonohen ose janë ulur. Shpenzimet për karburant, farë, plehra dhe ujitje rriten. Qumështi blihet me çmime që nuk mbulojnë kostot bazë. Një pjesë e tokave mbeten të pambjella. Importi i ushqimit rritet. Një shtet që mburret me “rritjen e bujqësisë”, në të njëjtën kohë bëhet gjithnjë e më i varur nga ushqimi i huaj. Kjo nuk është zhvillim. Kjo është humbje e sigurisë ushqimore.”, theksojnë nga LSDM.
 
Sipas partisë opozitare Qeveria e shet çmimin e lartë në treg si sukses për fermerin. Por qytetarët paguajnë më shtrenjtë për specat, domatet dhe mollët, ndërsa prodhuesi sërish lufton për 30 apo 40 denarë. Kjo është bartje e barrës mbi prodhuesin dhe konsumatorin thonë nga LSDM.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI