UNT, regjistrimi i studentëve më 24, 25 dhe 26 gusht
19.08.2026 15:46
Universiteti Nënë Tereza do të fillojë regjistrimin e studentëve në tre afate....

Universiteti Nënë Tereza do të fillojë regjistrimin e studentëve në tre afate. Më 24, 25, 26 gusht është afati i parë, afati i dytë më 9 dhe 10 shtator dhe afati i tretë 21-22 shtator, njofton rektori i UNT-së Bekim Fetaji. Këtë vit për herë të parë studentët mund të aplikojnë online për regjistrim.
“Prej sivjet kemi filluar me online aplikime, ato mund ta bëjnë edhe aplikimin online dhe shënojnë të dhënat e veta për ku janë të interesuar dhe shënojnë notat nga dëftesa dhe në këtë mënyrë shpejtohet procesi i regjistrimit. Atë ditë kur do të vijnë administratat dhe komisionet nëpër fakultete e kanë shumë më lehtë për shkak se i ka regjistruar të dhënat e veta, e kontrollojnë në sistem ia kontrollojnë notat dhe nuk pret gjatë dorëzimit të dokumentacionit.”, u shpreh rektori i UNT-së Bekim Fetaji.
Fetai: Me vendim të MASh, këtë vit akademik 500 studentë më pak
Me vendim të Ministrisë së Arsimit numri i studentëve që do të pranohen në këtë universitet ulet për 500 studentë më pak në krahasim me vitet e kaluara.
“Në përgjithësi ne regjistrojmë diku 2360 studentë, sivjet Ministria e Arsimit na ka shkurtuar numrat e pranimit edhe pse me elaborate i kemi shumë më të mëdha. Domethënë numri i studentëve na është shkurtuar prej 1970 në 1360 diku 500 studentë më pak të pranojmë sivjet në krahasim me vitin e kaluar, ngelet tash të shohim edhe interesin e gjeneratave të reja tash ku më tepër do të orientohen.”, u shpreh Fetaji.
Sipas rektorit Bekim Fetaji studentët më shumë kanë interesim për drejtimin e psikologjisë, pastaj doganës shpedicionit dhe sigurimeve, informatikë, ekonomi, shkencave kompjuterike dhe inxhinieri dhe që në afatin e parë plotësohet numri i aplikimeve thekson Fetaji. Ai po ashtu bën të ditur se UNT ka future digjitalizimin e gjithë serviseve studentore, të gjitha fakultetet tashmë janë në një vend dhe referentët me një hapësirë.
Përveç në UNT ditë më parë edhe Universiteti i Tetovës ka shpallur konkursin për regjistrimin e studentëve të rinjë për vitin akademik 2026/2027, ndërsa regjistrimi tanimë ka nisur edhe në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi në Shkup. Në këtë të fundit me vendim të MASH është ulur kuota për regjistrim për dymijë student.
VLORA LATIFI TOPOJANI
