Janevska: Politika të rrijë larg arsimit

19.08.2026 15:44

Asnjë universitet nga Maqedonia e Veriut nuk u rendit mes 1.000 institucioneve më të mira të arsimit të lartë në botë....

Asnjë universitet nga Maqedonia e Veriut nuk u rendit mes 1.000 institucioneve më të mira të arsimit të lartë në botë në Listën e Shangait për vitin 2026, përkatësisht në Renditjen Akademike të Universiteteve Botërore. E pyetur për këtë ministrja e Arsimit Vesna Janevska thotë se nuk pret ndryshime kaq të shpejta në një periudhë kaq të shkurtër. Ajo njëherit porositi që duart e politikës të mbeten larg arsimit, ndërsa thekson se miratimi i tre ligjeve nga fusha e arsimit të lartë, të cilat janë në procedurë parlamentare, është kyç për përmirësimin e cilësisë së arsimit universitar në vend. Sipas saj, tre zgjidhjet ligjore duhet që në periudhën e ardhshme të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë dhe në përmbushjen e më shumë indikatorëve që merren parasysh gjatë renditjes ndërkombëtare të universiteteve.
 
“Kur politika futet në arsim, konsideroj se dëmi është për të gjithë. Informacionet e papërshtatshme që publikohen për shkak të pikëve politike ose për të fituar “like” i shkaktojnë dëm sistemit arsimor dhe e pamundësojnë arsimin cilësor.”, u shpreh ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
 
Janevska: Klasa të reja në shf “Njegosh” në Idrizovë 
 
E pyetur rreth kërkesës që në shkollën fillore “Njegosh” në Idrizovë të mundësohet mësimi në gjuhën shqipe edhe nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, tha se shkolla në fjalë është përfshirë në listën e shkollave ku do të ndërtohen klasa shtesë. 
 
“Nuk jam e sigurt nëse kjo do të bëhet nga nëntori apo në pranverë, por edhe aty do të ndërtohen klasa. Pra, nuk bëhet fjalë për ndonjë zgjidhje politike, siç po lihet të kuptohet, dhe pikërisht për këtë po flas. Është dëm për të gjithë kur nuk u përgjigjemi në mënyrë adekuate problemeve të caktuara që ekzistojnë në vend. Por më së shumti është dëm për ata tek të cilët kjo shkakton një lloj shqetësimi. Edhe në atë shkollë do të ndërtojmë klasa dhe shpresoj se do ta zgjidhim edhe atë problem.”, tha Janevska.
 
Çështja e arsimit shqip në Idrizovë është ngritur prej vitesh, ndërsa së fundmi këtë kërkesë e aktualizoi Aleanca për Shqiptarët. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI