Botë
Gaza, gjenden trupat e shtatë personave të vrarë
19.08.2026 16:16
Shtatë palestinezë janë vrarë dhe 23 të tjerë janë plagosur në Rripin e Gazës...

Shtatë palestinezë janë vrarë dhe 23 të tjerë janë plagosur në Rripin e Gazës, në 24 orët e fundit njoftoi Ministria palestineze e Shëndetësisë.
“Spitalet kanë pranuar 7 të vrarë dhe 23 të plagosur gjatë 24 orëve të fundit. Një numër i madh viktimash vazhdojnë të mbeten nën rrënoja dhe në rrugë, pasi ekipet e ambulancës dhe Mbrojtjes Civile ende nuk kanë mundur të arrijnë tek ato.”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza.
Ekipet e Mbrojtjes Civile palestineze, në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, kanë nxjerrë nga rrënojat trupat e shtatë personave, disa muaj pasi shtëpia e tyre ishte shkatërruar në Gaza. Trupat u dërguan në spital për identifikim dhe procedurat e varrimit.
13 strehimore për 10 mijë të zhvendosur
Ndërkohë, në Sudaniya, në veriperëndim të Gazës, kanë përfunduar përgatitjet për 13 strehimore pranë të ashtuquajturës „zonë e verdhë“. Ato do të strehojnë rreth 10 mijë persona të zhvendosur dhe synojnë të inkurajojnë banorët të kthehen në Gazën veriore.
“Këto kampe u krijuan për të inkurajuar kthimin e të zhvendosurve në Gazën veriore dhe për të rikthyer jetën në këtë zonë. Këto përpjekje pasqyrojnë vendosmërinë e njerëzve për t'u kthyer pavarësisht kushteve të vështira.”, u shpreh Yahya al-Madhoun, gazetar i zhvendosur.
“Gaza veriore është shkatërruar plotësisht, ndaj këto projekte synojnë të inkurajojnë të zhvendosurit të kthehen. Këto 13 strehimore në Sudaniya do të strehojnë rreth 10 mijë persona.”, theksoi Ahmed al-Bahri, person i zhvendosur.
“Situata është shumë e vështirë, por ne zgjodhëm të kthehemi dhe të qëndrojmë në Gazën veriore, pavarësisht rrethanave dhe sfidave.”, u shpreh Muadh Abu Diya, person i zhvendosur.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga 7 tetori 2023 janë vrarë 73.407 palestinezë, ndërsa 174.335 janë plagosur. Rreth 90% e infrastrukturës civile të Gazës është dëmtuar, ndërsa kostoja e rindërtimit vlerësohet në rreth 70 miliardë dollarë.
ARMEND MURSELI
