Maqedoni
Shëndetësi, rritet numri i rasteve me ethet e Nilit Perëndimor
19.08.2026 18:00
Epidemia e etheve të Nilit Perëndimor është në rritje...

Vetëm brenda një jave, virusi është konfirmuar te 12 pacientë. Deri tani janë prekur 38 persona, ndërsa për dy prej tyre pritet konfirmimi laboratorik.
Epidemiologët shpjegojnë se, pavarësisht spërkatjes kundër mushkonjave, në mënyrë periodike shfaqen epidemi të tilla. Dominojnë personat mbi 60 vjeç, por nuk përjashtohen as të rinjtë. Deri tani, virusi nuk është konfirmuar te fëmijët.
“Shfaqja e rezistencës ndaj një substance kimike nuk do të thotë se ajo duhet të hiqet nga përdorimi, sepse jo të gjitha mushkonjat janë rezistente ndaj saj. Nga ana tjetër, nuk mund të spërkatni pa fund. Të gjitha masat duhet të zbatohen njëkohësisht dhe, edhe nëse bëni gjithçka, nuk mund ta shmangni plotësisht një valë epidemike. Kujdesi i prindërve ndaj fëmijëve është disi më i madh sesa kujdesi i të rriturve ndaj vetes, ndaj ndoshta përdorimi i mjeteve repelente te të vegjlit kontribuon në këtë. Deri tani nuk kemi regjistruar raste”, deklaroi epidemiologja nga QSHP - Shkup, dr. Marija Goçeva.
Autoritetet shëndetësore, përmes mesazheve SMS, do t’u japin udhëzime banorëve të zonave të rrezikuara se si të mbrohen. Të premten, ministri Klekovski, së bashku me përfaqësues të pushtetit lokal, do të hartojë një plan për spërkatjen e ujërave të ndenjura, të cilat konsiderohen vatra për shumimin e mushkonjave.
“Ndërkohë, mund t’u bëj thirrje komunave që të kontrollojnë hidrantët dhe pajisjet e tjera të ujësjellësit. Nga njëra anë, ka nevojë për ujitje, por duhet të kujdesemi që ujitja të mos krijojë sipërfaqe të reja ujore. Do ta kemi planin dhe do të vazhdojmë me aktivitetet”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor ka kryer kontrolle në komuna. Përveç Studeniçanit, komunat e tjera kanë kryer në kohë dezinfektimin kundër larvave dhe mushkonjave. Autoritetet shëndetësore thonë se përdoren preparate të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Këtë vit, nga ethet e Nilit Perëndimor janë prekur 38 qytetarë, ndërsa rreth 15 prej tyre janë shëruar. Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, autoritetet shëndetësore kanë shpallur epidemi në pesë komuna të Shkupit.
ABIBE QAILI
