Botë
ShBA dhe BE, thirrje për tejkalim të ngërçit politik në Kosovë
20.08.2026 14:08
Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje liderëve politikë në Kosovë...

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje liderëve politikë në Kosovë që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve të reja dhe tejkalimin e ngërçit institucional, duke respektuar Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Ky ngërç i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, ka deklaruar një zëdhënës i departamentit amerikan të shtetit.
Më 12 gusht, edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë u kishte bërë thirrje partive politike të bashkëpunojnë për tejkalimin e krizës institucionale. Thirrje për zgjidhjen e krizës institucionale ka bërë edhe Bashkimi Evropian.
BE-ja ka kërkuar nga partitë politike që sa më shpejt të gjejnë një zgjidhje, duke paralajmëruar se ngërçi politik dhe vonesat në reforma mund të kufizojnë mundësinë e Kosovës për të përfituar nga mbështetja evropiane.
PDK dhe Aleanca: Refuzojnë takimet me Kurtin, kërkojnë konstituimin e kuvendit
Por zgjidhja e ngërçit politik në Kosovë, mvaret nga takimet e kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti dhe atij të LDK-së Lumir Abdixhiku, pasi krerët e dy partive tjera opozitare atij të PDK-së Bedri Hamza dhe Aleancës Ardian Gjini, refuzojnë të takohen me Kurtin. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, ishte e prerë se përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës nuk do të takohen më me Kurtin, ndërsa takimet e deritanishme i quan “takime farse”.
“Ne nuk kemi nevojë më që të takohemi me Albin Kurtin, sepse këto takime është parë mirëfilli që janë takime farse. Sepse po të kishte vullnet Albin Kurti, e para do ta konstituonte Kuvendin e Kosovës ashtu siç e obligon rregullorja dhe Kushtetuta, dhe e dyta do të sillej në përpikmëri, në harmoni të plotë me rregullat dhe ligjet e Republikës”, deklaroi Blerta Deliu Kodra nga PDK.
Ndërkohë deputetët e PDK-së, kanë shkuar në sallën e seancave kuvendore, ku kanë lënë në tavolinat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga një letër me thirrje për respektimin e Kushtetutës dhe konstituimin e Kuvendit. Ata kanë vazhduar edhe me bllokimin e dyerve të ndërtesës së Qeverisë, duke kundërshtuar qëndrimin e Kurtit në zyrën e kryeministrit pas marrjes së mandatit të deputetit.
PDK dhe Aleanca presin edhe masivizimin e protestës para qeverisë, duke përfshirë edhe kategori të ndryshme shoqërore, të cilat do ti bashkohen thirrjes për funksionalizimin e institucioneve.
GYLTENE SINANI
