Botë

SHBA paralajmëron sanksione ndaj Iranit

20.08.2026 14:26

SHBA ka paralajmëruar sanksione të reja pas sulmeve ndaj anijeve...

SHBA ka paralajmëruar sanksione të reja pas sulmeve ndaj anijeve pranë Ngushticës së Hormuzit. Trumpi nuk e përjashton mundësinë e operacioneve të mëtejshme ushtarake nëse Teherani nuk bashkëpunon.
 
Presidenti amerikan u bëri thirrje aleatëve të ndihmojnë në izolimin e Iranit dhe kërcënoi me “pasoja të mëdha ekonomike” për vendet që do t’i japin mbështetje.
 
“Kemi masa me të cilat mund të vendosim sanksione. Kemi sanksione shumë të rrepta dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë. Për momentin, ngushtica është e hapur dhe shumë anije po kalojnë. Bllokada detare ishte jashtëzakonisht efektive”, deklaroi presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
 
Bullgaria cak i sulmeve Iraniane!?
 
“Financial Times” raportoi se Teherani po shqyrton mundësinë e sulmeve ndaj objektivave ushtarake amerikane në Evropë, përfshirë edhe në Bullgari, nëse Uashingtoni e përshkallëzon më tej konfliktin. Qeveria bullgare ka forcuar masat e sigurisë në bazën ajrore Bezmer.
 
“Kemi marrë masa shtesë sigurie si masë paraprake dhe jemi përgatitur për një nivel kërcënimi dukshëm më të lartë se ai që raportohet aktualisht përmes kanaleve të inteligjencës. Ne e monitorojmë vazhdimisht situatën dhe do të vazhdojmë të zbatojmë masa parandaluese dhe më intensive”, u shpreh ministri i Brendshëm i Bullgarisë, Ivan Dеmerxhiev.
 
NATO gati të përgjigjet ndaj çdo kërcënimi
 
Ekspertët e sigurisë kombëtare thonë se Bullgaria duhet të kërkojë konsultime urgjente me partnerët e saj në NATO dhe BE, krahas kryerjes së analizës së saj të inteligjencës.
 
“Nevojiten konsultime me NATO-n dhe BE-në, por duhet të ketë edhe bisedime me SHBA-në lidhur me forcimin e sigurisë së vendit. Duhet të shqyrtojmë rreziqet potenciale që lidhen me raketat iraniane dhe dronët iranianë”, theksoi eksperti i sigurisë kombëtare Jordan Bozhilov.
 
NATO-ja deklaroi se do t’i përgjigjet çdo kërcënimi dhe do të ndërmarrë gjithçka që është e nevojshme për mbrojtjen e aleatëve.
 
ARMEND MURSELI