Sportet E Tjera
Taranto 2026: Tre delegacione, një synim: Medaljet
20.08.2026 13:08
Taranto bëhet gati për edicionin e 20-të të Lojërave Mesdhetare...

Nga 21 gushti deri më 3 shtator, rreth 3 mijë e 800 sportistë nga 26 vende do të garojnë në një prej eventeve më të mëdha shumë-sportëshe të rajonit. Mes tyre, në qendër të vëmendjes do të jenë edhe Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, me delegacionet e tyre që synojnë podiumin në disa prej disiplinave.
88 sportistë do të përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në Taranto. Pritshmëritë lidhen veçanërisht me sportet luftarake, ku vendi ka krijuar traditë në Lojërat Mesdhetare. Në edicionin e fundit, në Oran, Maqedonia e Veriut fitoi tri medalje – një të artë dhe dy të bronzta. Tashmë objektivi është përsëritja e suksesit, por edhe shtimi i medaljeve.
Kosova vjen në Taranto me një delegacion prej 163 sportistësh në 21 sporte, por këtë herë objektivi nuk është vetëm medalja. Me sytë nga podiumi, por edhe nga e ardhmja, Kosova e sheh këtë edicion si një tjetër hap drejt një sfide shumë më të madhe: organizimit të Lojërave të ardhshme Mesdhetare, të cilat do të zhvillohen në Kosovë. Pikërisht për këtë arsye, Taranto 2026 merr një rëndësi të veçantë për delegacionin kosovar. Sportistët kërkojnë rezultate, ndërsa organizatorët do të kenë mundësinë të përfitojnë nga përvoja e një prej eventeve më të mëdha sportive të rajonit. Në aspektin sportiv, pritshmëritë më të mëdha lidhen sërish me xhudon dhe sportet luftarake, disiplinat që i kanë sjellë Kosovës pjesën më të madhe të medaljeve në pjesëmarrjet e mëparshme. Por sfida më e madhe është ajo që vjen pas Tarantos: të jetë gati për të mirëpritur vetë Lojërat Mesdhetare.
Edhe Shqipëria do të jetë pjesë e garës me 72 sportistë, në një delegacion ku synimi është që përfaqësimi të shndërrohet edhe në medalje. Një prej skuadrave që do të jetë në vëmendje është Shqipëria U21 në futboll, e cila është shortuar në grup me Italinë, Algjerinë dhe Kosovën. Tri vende fqinje, tre delegacione dhe shumë pritshmëri. Maqedonia e Veriut kërkon të konfirmojë rezultatet e Oranit, Kosova synon të zgjerojë koleksionin e saj të medaljeve, ndërsa Shqipëria kërkon të lërë gjurmën e saj në Taranto. Për medaljet do të flasë gara. Por për Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Shqipërinë, sfida nis që në ditën e parë.
