Zgjedhjet, Mickoski: Jemi të gatshëm për zgjedhje dhe fitore
20.08.2026 15:44
Kryeministri Hristijan Mickoski ka ngritur sërish mundësinë e zgjedhjeve...

Kryeministri Hristijan Mickoski ka ngritur sërish mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke lënë të kuptohet këtë herë se koalicioni qeverisës do t'u përgjigjej pozitivisht nëse opozita do të bënte një kërkesë të tillë.
Ai mban qëndrimin se zgjedhjet duhet të mbahen sipas planit në vitin 2028, Mickoski deklaroi se qytetarët aktualisht nuk duan zgjedhje, por më tepër reforma dhe vazhdimësi të proceseve të udhëhequra nga Qeveria.
“Si koalicion, na është dhënë legjitimiteti nga qytetarët për të qeverisur për katër vjet. Por atë që thashë dje do ta konfirmoj, nëse opozita mendon se zgjedhjet e parakohshme janë të nevojshme, natyrisht, ne nuk do të qëndrojmë mënjanë si frikacakë, por do t’i përgjigjemi pozitivisht asaj kërkese dhe, natyrisht, do t’i fitojmë ato”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Filipçe: Nuk shërbejmë si alibi për zgjedhje
Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaron se partia e tij nuk do të jetë alibi për zgjedhjet që po I pretendon qeveria. Sipas tij qeveria do të realizojë zgjedhje në momentin kur do të ngelin pa para.
“Ne nuk do të shërbejmë si alibi për zgjedhjet e tij. Kryeministri i cili zotëron një shumicë prej dy të tretave, pushtet absolut në çdo nivel, presidencën, pushtetin ekzekutiv, shumicën prej dy të tretave në Parlament pra shumicë në qeverisjen qendrore, ashtu edhe atë lokale, mund të shpallë zgjedhje sa herë të dojë, ne nuk do t'ia ofrojmë atë alibi. Zgjedhjet do të mbahen vetëm kur atij t'i mbarojnë paratë për tenderë korruptivë”, u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
BDI: Jemi të gatshëm për zgjedhje
Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndet gatishmërinë e shprehur nga kryeministri Hristijan Mickoski për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nëse këtë e kërkon opozita.
"Kërkojmë që brenda ditëve të përcaktohet afati më i shpejtë kushtetues, të fillojnë përgatitjet zgjedhore dhe qytetarëve t’u jepet mundësia të vendosin për drejtimin e vendit.Nëse oferta e kryeministrit është serioze, nuk ka arsye për vonesa, arsyetime apo kalkulime politike. Opozita e ka dhënë përgjigjen e saj. BDI është e gatshme. Le të shpërndahet Kuvendi. Le të caktohet data."-thonë nga BDI.
Edhe Aleanca për Shqiptarët është shprehur e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
FLORIJE BELULI KAMBERI
