Maqedoni

Ekonomi, Mickoski: Rritje e BPV-së për 120 milion euro

20.08.2026 16:32

Kryeministri Hristijan Mickoski vlerëson se ndërtimtaria edhe më tej do të jetë...

Kryeministri Hristijan Mickoski vlerëson se ndërtimtaria edhe më tej do të jetë një nga shtytësit kryesorë të rritjes ekonomike. Ai tha se kërkesat për lëshimin e lejeve të ndërtimit janë rritur për 30 për qind.
 
Sipas Mickoskit, në dy vitet e fundit, Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur për 120 milionë euro më shumë krahasuar me gjashtë vitet e qeverisjes së mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së. Ai e cilësoi këtë si dëshmi se Qeveria aktuale ka epërsi në menaxhimin e ekonomisë. 
 
“Nëse krahasohet periudha e qeverisë së mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së me periudhën e kësaj qeverie të VMRO-së,Vlen dhe partisë" EDI" do të arrijmë në parametrat e mëposhtëm: për një periudhë tre herë më të shkurtër, Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur për 120 milionë euro më shumë. Pra, për dy vite, Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur për 120 milionë euro më shumë se në gjashtë vitet e mëparshme të qeverisë së kaluar. Ndërkohë, borxhi publik është rritur për diçka më pak se tri herë. Për një periudhë tre herë më të shkurtër kemi rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Me fjalë të tjera, 3 me 1.. Duke pasur parasysh se para tre vitesh ishim bindshëm në fund të rajonit, tani jemi në vendin e parë ose të dytë kur bëhet fjalë për këto parametra”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski. 
 
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, tha se buxheti nuk është në gjendje të keqe dhe se sistemi financiar po stabilizohet. Si tregues për këtë ajo përmendi edhe rënien e inflacionit. Sa i përket borxhit publik, ministrja tha se ai mbetet nën 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. 
 
“Kur ju punoni në kushte kur borxhi publik gjatë gjithë kohës lëviz nën 60 për qind dhe e shihni se ne nuk e rrisim borxhin publik. Bëni një përllogaritje dhe do të shihni se sa është rritur borxhi publik gjatë të gjitha qeverive të mëparshme. Borxhin publik, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto, e mbajmë brenda kufirit që konsiderohet nën 60 për qind. Është shumë e vështirë t'i menaxhoni të gjitha gjërat për ta ruajtur atë kufi psikologjik. .Sa i përket mbrojtjes së buxhetit, mendoj se gjatë periudhës së kaluar ne si ministri kemi ndërmarrë mjaft masa, duke pasur parasysh se në një periudhë kemi ulur TVSH-në nga 18 në 10 për qind për naftën dhe derivatet e naftës, ndërsa sa u përket akcizave, kemi qenë pothuajse në vazhdimësi me masa”, u shpreh ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
 
Filipçe: Në shtator kërkojmë pagë minimale 600 euro
 
Nga LSDM-ja opozitare vazhdojnë kritikat ndaj politikave ekonomike të Qeverisë. Kryetari i partisë, Venko Filipçe, sfidon Mickoskin, paralajmëroi se në fillim të shtatorit, pas rifillimit të punës së Kuvendit, LSDM-ja do të propozojë ligj për rritjen e pagës minimale në 600 euro. 
 
“Nëse është ashtu siç thotë, se jemi ekonomia e tretë ose e katërt, nëse po përballen mirë me inflacionin dhe nëse po i menaxhojnë mirë financat, atëherë masa e parë, përsëri në fillim të shtatorit, pasi të fillojë punën Kuvendi, do ta propozojmë ligjin me të cilin paga minimale do të jetë 600 euro, jo 25–26 mijë denarë sa është tani”, theksoi kryetar i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Sipas tij, rritja e pagës minimale do t'u mundësonte punëtorëve të përballojnë më lehtë shpenzimet bazë, veçanërisht në periudhën kur fillon viti shkollor dhe rriten shpenzimet familjare. Filipçe theksoi se paralelisht duhet të rriten edhe pagat në sektorë të tjerë.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI