Botë

Përshkallëzohet lufta: Rusia godet Kievin, Ukraina kundërpërgjigjet

20.08.2026 17:00

Një valë e re sulmesh vdekjeprurëse ruse me dronë...

Një valë e re sulmesh vdekjeprurëse ruse me dronë dhe raketa balistike goditën Kievin dhe rajonin. Numri i viktimave po rritet, dhjetëra persona janë plagosur, ndërsa mijëra banesa kanë mbetur pa energji elektrike. Rumania raportoi se një dron u rrëzua në territorin e saj gjatë sulmit rus, ndërsa Polonia ngriti avionët luftarakë.
 
“Në përputhje me procedurat në fuqi, Komanda Operative aktivizoi forcat dhe burimet e nevojshme në dispozicion. Sistemet tokësore të mbrojtjes kundërajrore dhe mbikëqyrja me radar u vendosën në gjendje gatishmërie”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Mbrojtjes së Polonisë.
 
Rusia po i intensifikon sulmet balistike ndaj Kievit, duke u përpjekur të shterojë rezervat e kufizuara të mbrojtjes kundërajrore ukrainase. Në të njëjtën kohë, Ukraina po kundërpërgjigjet me sulme me rreze të gjatë ndaj objektivave ushtarake dhe strategjike ruse.
 
Zelensky ndryshon kreun e mbrojtjes, ministri i ri me mision për të forcuar Ukrainën
 
Në Kiev po konsolidohen ndryshimet në sektorin e mbrojtjes. Parlamenti konfirmoi Khmarën si ministër të Mbrojtjes pas shkarkimit të Fedorovit, ndërsa pritet që ai të forcojë kapacitetet mbrojtëse dhe sulmuese të Ukrainës.
 
“Detyra kryesore e ministrit ukrainas të Mbrojtjes është të organizojë siç duhet sistemin tonë të mbrojtjes. Ai duhet të sigurojë gjithçka që nevojitet për zmbrapsjen e sulmeve ruse, ruajtjen e pozicioneve në front dhe për veprimet tona aktive”, deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
 
Putin pranon dëmet, sulmet ukrainase godasin ekonominë ruse
 
Por derisa Kievi përballet me sulmet ruse, Moska po i ndien pasojat e sulmeve ukrainase. Në vend po shfaqet një valë e re mungesash të karburantit, ndërsa Putini pranoi se sulmet po i shkaktojnë dëme ekonomisë ruse.
 
“Është e qartë se ritmi i aktivitetit ekonomik është goditur nga disa faktorë, përfshirë edhe sulmet ndaj objekteve industriale dhe infrastrukturore. Këto sulme nuk kanë shkaktuar pasoja kritike, por gjithsesi po na shkaktojnë dëme”, u shpreh presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
 
Autoritetet e Moskës tashmë kanë filluar shpërndarjen e racionalizuar të karburantit dhe po vendosin kuota për shitjen.
 
ARMEND MURSELI