Moti i keq përfshin veriun e Italisë, reshje intensive e përmbytje në disa zona
Zonat veriore dhe qendrore të Italisë po përballen me probleme të shumta...

Zonat veriore dhe qendrore të Italisë po përballen me probleme të shumta për shkak të motit të keq, me reshje intensive, përmbytje dhe rrezik për rrëshqitje dherash.
Sipas shërbimit italian të zjarrfikësve, ekipet e emergjencës kanë kryer rreth 1,000 ndërhyrje në zona të ndryshme të vendit. Situata është veçanërisht problematike në rajonet Piemonte, Liguria dhe Toskanë, ku ekipet vijojnë të jenë në terren.
Në Bergamo, gjatë mbrëmjes, zjarrfikësit kryen një evakuim paraprak të rreth 250 personave nga kampingu Isola di Fondra. Masa u mor pasi niveli i një përroi u rrit ndjeshëm dhe u shfaq rreziku për rrëshqitje toke.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe ndërhyrjet në zonat më të prekura, ndërsa ekipet e emergjencës janë në gatishmëri për përballimin e pasojave të motit të rënduar.
