Futboll
Kupa e Amerikës, fitojnë Argjentina dhe Paraguai
17.06.2015 13:09
Kun Aguero ishte heroi i Argjentinës ndaj Uruguajit në ndeshjen e dytë në Grupe në Kupën e Amerikës...

Sulmuesi i Manchester Cityt shënoi golin e vetëm të takimit në minutën e 57-të, duke shmangur një tjetër blof të formacionit të Tata Martinos pas barazimit 2-2 me Paraguajin.
Taktika e Oscar Tabarez për të neutralizuar Lionel Messin funksionoi në perfeksion, por Uruguaji nuk i kishte bërë mirë llogaritë me Agueron, i cili përfitoi nga një depërtim i Zabaletës, duke i paraprirë mbrojtësit kundërshtar me një goditje me kokë në shtyllën e parë.
Pas zhbllokimit të rezultatit nga Argjentina Uruguaji pati të paktën tre raste të pastra për të barazuar rezultatin.
Në takimin tjetër të Grupit B Paraguai mposhti me rezultat minimal Xhamaikën me gol të Benitez në minutën e 36, pas një gabimi të rënë të portierit Kerr.
Argjentina dhe Paraguai kryesojnë grupin me nga 4 pikë, më pas renditet Uruguaj me 3 pikë, ndërsa Xhamaika ëhstë e fundit me zero pikë.
Në ndeshjet e fundit në Grup Argjentina do të ketë përballë Xhamaikën, ndërsa Uruguaji do të përplaset me Paraguajin.
