MPB, shtetasit e huaj mund ti paguajnë gjobat online
21.08.2026 16:26
Ministria e Punëve të Brendshme bën të ditur se është vënë në funksion...

Ministria e Punëve të Brendshme bën të ditur se është vënë në funksion veb-aplikacioni me interfejs për pajisjet mobile „Qytet i Sigurt“, i cili u dedikohet shtetasve të huaj, përkatësisht pronarëve dhe shoferëve të automjeteve me targa të huaja. Përmes këtij aplikacioni, shtetasit e huaj do të mund të marrin informacione për kundërvajtjet rrugore të evidentuara me sistemin „Qytet i Sigurt“, të kenë qasje në urdhërpagesat e dhëna për kundërvajtje, si dhe t’i paguajnë gjobat në mënyrë elektronike.
“Gjatë hyrjes në aplikacion, shoferi duhet të fotografojë ose të skanojë dokumentin e tij të udhëtimit dhe të vendosë targën e regjistrimit të automjetit ose të automjeteve të cilat ai i përdor në vendin tonë. Në këtë mënyrë, shoferët e huaj, automjetet e të cilëve do të evidentohen se kanë kryer kundërvajtje rrugore në territorin e të gjithë vendit, do të mund të informohen në kohë dhe në mënyrë të thjeshtë, si dhe të rregullojnë detyrimin e tyre, pa pasur nevojë për ndalime apo vonesa plotësuese në pikat kufitare”, u shpreh zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.
Vendosja e veb aplikacionit që mundëson pagesën në mënyrë elektronike për shtetasit e huaj, pritet të ndikojë në zvoglimin e kolonave në pikën kufitare të Tabanocit dhe pritjet e gjata në sportelet e kësaj pike për pagesën e dënimeve. Poashtu nga MPB kanë paralajmëruar rritjen e numrit të pikëpagesave në vendkalimin kufitar Tabanoc nga 4 në 8 pikëpagesa.
Në pikën kufitare Tabanoc janë vendosur kamera inteligjente që lexojnë targat dhe identifikojnë automjetet me kundërvajtje të evidentuara nga sistemi „Qytet i Sigurt“. E njejta zgjidhje pritet të zbatohet edhe në vendkalimet e tjera kufitare, ku poashtu shtetasit e huaj që kanë kryer kundërvajtje në trafik, do të paguajnë dënimet gjatë daljes nga vendi.
ABIBE QAILI
