Spitalet modulare, Mickoski kritikon mbylljen e rastit

21.08.2026 16:26

Kryeministri Hristijan Mickoski ka reaguar ndaj vendimit të Prokurorisë...

Kryeministri Hristijan Mickoski ka reaguar ndaj vendimit të Prokurorisë për mbylljen e lëndës lidhur me spitalet modulare. Mickoski tha se procedura për këtë rast ka zgjatur pothuajse pesë vjet dhe shprehu kritika ndaj vendimit për ndërprerjen e saj. Kritikoi edhe prokurorin që është në largim, duke pretenduar se vendimi mund të jetë i lidhur me marrëdhëniet e tij me ish-pushtetin.
 
Sipas Mickoskit, rasti nuk duhet të përfundojë pa u sqaruar plotësisht rrethanat e tragjedisë dhe pa u përcaktuar përgjegjësia për vdekjen e 14 personave.
 
“Për fat të keq, prokurori i cili është në largim, pasi, sipas informacioneve që kam, është shpallur konkurs për zgjedhjen e një prokurori të ri në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, supozoj se vendos që deri në fund t’i përmbushë marrëdhëniet e tij debitor-kreditor me qeverinë e mëparshme dhe nuk i bën përshtypje fakti që 14 njerëz u dogjën të gjallë. Do ta përsëris, 14 njerëz u dogjën të gjallë. Kjo nuk i bën aspak përshtypje dhe vendos që ta ndalë këtë proces. Por dua që publiku ta dijë se kjo nuk është amnisti politike nga ana e këtij prokurori ndaj ish-urdhërdhënësve të tij, sepse gjithmonë mund të shfaqen detaje të reja që lidhen me këtë proces dhe gjithmonë ky proces mund të bëhet sërish aktual dhe para opinionit publik të hapet përsëri që nga fillimi”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Ndërkohë, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka konstatuar se spitalet modulare gjatë krizës së COVID-19 janë blerë në përputhje me procedurat ligjore dhe se nuk ka bazë për hapjen e hetimit.
 
Pas analizës së tenderëve, kontratave dhe dokumentacionit të projektit, nuk janë konstatuar keqpërdorime, tejkalim i autorizimeve zyrtare apo dëm ndaj buxhetit të shtetit.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI