Maqedoni

Mesazhi i Reisul Ulemasë, H. Sulejman ef. Rexhepit për Muajin e Ramazanit

17.06.2015 13:35

Reis Ulemaja i Republikës së Maqedonisë, Sulejman efendi Rexhepi, përmes një mesazhi iu është drejtuar të gjithë besimtarëve myslimanë...

Reis Ulemaja i Republikës së Maqedonisë, Sulejman efendi Rexhepi, përmes një mesazhi iu është drejtuar të gjithë besimtarëve myslimanë, duke iu uruar futjen në Muajin e Shenjtë të Ramazanit dhe duke iu dëshiruar agjërim të lehtë.
 
“Muaji i Ramazanit që në të filloi të shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues i së vërtetës nga gënjeshtra. E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë….”(El- Bekare, 185). 
Besimtarë të dashur, vëllezër e motra, le ta falënderojmë Krijuesin tonë, i Cili na e mundësoi që edhe një herë ta presim Muajin e Bekuar të Ramazanit, këtë muaj në të cilin filloi shpallja e Kur’anit, këtë muaj në të cilin na u bë obligim agjërimi, këtë muaj përplot me ibadete dhe adhurime për Allahun xh.sh.. Vëllezër e motra, besimtarë të dashur, nuk ka dyshim se muaji i agjërimit na mban sa më afër Krijuesit tonë, na nxitë për sa më shumë lutje e ibadete. Si në asnjë muaj tjetër, gjatë Ramazanit ndjehemi krenarë, ndjehemi të fuqishëm, ndjehemi shpirtërisht më të pastër e më të ngritur. Sepse, në çdo çast jemi në ibadete, pareshtur kalisim humanizmin tonë, ndjeshmërinë tonë për skamnorët, për të varfrit, për të përvuajturit... Kjo ndjeshmëri e përcjellë me ibadete, na mban unikë dhe na e përforcon unitetin tonë.
Ky shpirt unik i bëri ballë edhe projekteve të fundit të nëntokës anti-islame të iniciuar për ta goditur dhe dëmtuar Bashkësinë tonë Islame, e cila për këta shekuj ekzistencë ka kaluar nëpër pushtues e sundimtarë të tmerrshëm, nëpër golgotë e katrahura të ndryshme, porse gjithnjë ka triumfuar dhe ka dalë më e fuqishme. Pra, le të jetë ky muaj i bekuar një shans reflektimi për të gjithë ata që ia mësyjnë dëmtimit dhe shkatërrimit të Bashkësisë Islame si dhe përçarjes së unitetit tonë të kalitur shekuj me radhë dhe le të kuptojnë se kjo Bashkësi Islame dhe unitet ynë i fuqishëm është vullnet i Zotit dhe i myslimanëve të vendit.
Të përkujtojmë fjalën e të madhit Pejgamber, Muhammed Mustafasës, i cili thoshte: “Të gjithë ata që iniciojnë përçarje, vendi i tyre është zjarri i xhehenemit”. Të dashur besimtarë, në mënyrë që agjërimi të jetë ibadet, duhet që patjetër ta kemi frikë sot e përjetë Allahun xh.sh., t’i përkushtohemi Atij me lutje, me dhikër, me lexim e dëgjim të Kur’anit, por edhe me bamirësi, me vepra të mira, me qetësi, me butësi, me respekt e dashuri për njeriun si mëkëmbës të Zotit në këtë botë.
Në të kundërtën, do të jemi të zhdukur në këtë dhe në botën tjetër. Muaji i Ramazanit është muaj i ibadeteve të shtuara, por edhe i rahmetit, i mëshirës, i solidaritetit, i ndihmës... Duke e ndihmuar njëri-tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, duke ia zgjatur dorën e ndihmës njëri tjetrit, do t’i japim kuptim edhe qëndrimit tonë dinjitoz para Allahut xh.sh. gjatë ibadeteve tona që i kryejmë vetëm për Të.
Vëllezër e motra, duke e lutur Zotin mëshirëplotë që të na e shtojë respektin dhe dashurinë për njëri-tjetrin, ta shtojë mirëqenien dhe mirësinë, më lejoni t’ju uroj-ju qoftë për hajër Muaji i Bekuar i Ramazanit dhe paçi një agjërim të lehtë e të përmbushur me ibadete dhe të pranuara te Allahu i madhërishëm”- përfundon urimin e tij kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi.