Botë
ShBA-ja ashpërson presionin ndaj Iranit, Kina kundërshton sanksionet amerikane
21.08.2026 16:49
SHBA-ja po rrit presionin ekonomik ndaj Iranit...

Uashingtoni ka paralajmëruar sanksionet më të ashpra ndonjëherë, me synim dobësimin e ekonomisë iraniane dhe presionin ndaj regjimit. Sipas sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent, presioni ekonomik mund të ulë nevojën për një operacion të ri të madh ushtarak.
“Kemi një bllokadë dhe do të kemi sanksionet më të ashpra në histori. Do ta rrënojmë ekonominë e regjimit. Kjo do ta kufizojë aftësinë e tij për të financuar ushtrinë. Kjo do të funksionojë në Iran dhe ne do ta shkatërrojmë këtë regjim“, deklaroi sekretari i thesarit të SHBA-së, Scott Bessent.
Ministria e Jashtme e Kinës hodhi poshtë kërcënimet e Trumpit për „luftë ekonomike“ kundër shteteve që tregtojnë me Iranin, duke vlerësuar se një qasje e tillë nuk do të kontribuojë në zgjidhjen e tensioneve në Lindjen e Mesme.
“Kina vlerëson se mjetet ushtarake, sanksionet dhe presioni nuk do të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit. Ato vetëm do t’i përkeqësojnë tensionet dhe do ta përshkallëzojnë situatën, gjë që nuk është në interesin e askujt. Ne kundërshtojmë sanksionet e njëanshme dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve relevante që ta zgjidhin problemin përmes mjeteve politike dhe diplomatike“, u shpreh zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Kinës, Lin Jian.
Ndërkohë, trafiku i reduktuar përmes Ngushticës së Hormuzit po rrit shqetësimet për tregjet e energjisë. Katari njoftoi për përpjekje diplomatike për normalizimin e lundrimit.
“Katari po punon për të gjetur mënyra diplomatike për kthimin e lundrimit në rrjedhë normale dhe shpresojmë se kjo do të jetë një hap pozitiv drejt qetësimit të plotë të krizës. Gjithashtu, është e rëndësishme të kujtohet se liria e lundrimit duhet të garantohet dhe rrugët detare nuk duhet të jenë peng i asnjë lloj shantazhi politik“, theksoi kryeministri i Katarit, Mohamed Bin Abdulrahman Al-Thani.
Ndërkohë Huthët raportuan sulme të reja ndaj objektivave në Arabinë Saudite, derisa SHBA-ja vendosi sanksione ndaj personave të lidhur me rrjetin financiar të Hezbollahut. Uashingtoni ndërkohë po e forcon praninë ushtarake në rajon.
ARMEND MURSELI
