Botë

Emigrantët nga zonat e luftës, Greqia nuk përballet dot me fluksin e tyre

17.06.2015 14:00

Ishulli grek, Lesvos, po përballet me fluksin më të madh të emigrantëve nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika, që kalojnë kufirin turk, fare pranë ishullit grek...

Më shumë se 50 mijë emigrantë kanë hyrë në Greqi që nga fillimi i këtij viti. Një vit më parë numri arrinte vetëm në 6.500.
 
Autoritetet kërkojnë ndihmë nga organizatat ndërkombëtare, pasi Greqia, që vetë është në prag të falimentimit, nuk përballet dot me emigrantët.
 
“Kur llogaris se këtu vijnë 500 – 600  njerëz në ditë, me tendencë që ky numër të rritet, janë të paktën 15 mijë refugjatë në muaj. Ishulli është mbushur përtej kapacitetit të tij dhe nuk kemi fuqi të përballemi me ta. Numri i tyre ka kapërcyer nivelin e mundshëm të mundësive tona për ndihmë. Kërkojmë ndihmë nga organizmat ndërkombëtarë, nga BE veçanërisht, sepse unë po përballem me një problem evropian, por në fakt barrën e këtij problemi po e mban Greqia për momentin”- deklaroi prefekti i Lesvosit, Spyros Galinos.
 
Pasi arrijnë në portin e qytetit, emigrantët fillojnë udhëtimin e tyre në këmbë përmes ishullit.
 
Pasi paraqiten tek autoritetet, ata hipin nëpër autobusë dhe dërgohen në kampet provizore. 
 
Abazi është një emigrant pakistanez dhe ankohet se kampi nuk ka kapacitet të përballet me kaq shumë njerëz. 
 
“Në përgjithësi kushtet janë të mira këtu, por mendoj se ka shumë emigrantë dhe autoritetet nuk i përfundojnë dot në kohë procedurat. Ka shumë familje dhe njerëz të tjerë që presin edhe nga tre javë këtu. Natyrisht që na ndihmojnë në këtë kamp, por do ishte mirë të mos na mbanin kaq gjatë”- tha emigranti nga Guxharati, Abaz.
 
Dje, në rrugët e qytetit emigrantët dolën në protesta, duke u ankuar për kushtet e këqija në kamp, ku thonë se nuk ka energji elektrike dhe as ujë të pastër.
 
Emigrantëve që arrijnë në Greqi nga zonat e luftës, iu jepet statusi i refugjatit dhe një dokument që u mundëson qëndrimin provizor në vend.
 
Por, ata janë shumë dhe kjo bën që kampet e pritjes të mos kenë vend për të gjithë dhe një numër i madh i tyre i kalojnë netët në rrugë ose kërkojnë udhë alternative për t’u larguar nga Greqia drejt vendeve fqinje, përfshirë edhe Maqedoninë.
 
GYLTENE SINANI