Maqedoni

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, VMRO-DPMNE: Nëse i kërkon LSDM do t'i mbajmë

22.08.2026 15:36

Partia më e madhe në pushtet, VMRO-DPMNE, vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim sa i përket mundësisë për zgjedhje të parakohshme parlamentare....

Partia më e madhe në pushtet, VMRO-DPMNE, vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim sa i përket mundësisë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga partia thonë se qytetarët u kanë dhënë mandat katërvjeçar për realizimin e reformave dhe projekteve dhe se synimi i tyre është që zgjedhjet e rregullta të mbahen në vitin 2028. Megjithatë, VMRO-DPMNE thekson se nëse opozita kërkon zgjedhje të parakohshme, nuk do t’u shmanget atyre, por do ta pranojë sfidën dhe, siç deklarojnë nga partia, do t’i fitojnë zgjedhjet. 
 
Në VMRO-DPMNE, ndërkohë, akuzojnë LSDM-në se, pavarësisht kritikave për rënien e besimit të qytetarëve ndaj pushtetit, i shmanget zgjedhjeve të parakohshme.
 
“Neve qytetarët na dhanë mandat katër vjeçar për të realizuar reforma dhe projekte, dhe qëllimi ynë është të shkojmë në zgjedhje të rregullta në vitin 2028, aq sa zgjat mandati. Por, nëse opozita kërkon zgjedhje të parakohshme, nuk do t’u shmangemi, përkundrazi, do t’i pranojmë dhe do t’i mundim. Ndërsa ata që janë më të zëshmit për pretendimet se po bie besimi i qytetarëve ndaj VMRO-DPMNE-së, e që është LSDM-ja, po ikin nga zgjedhjet si djalli nga temjani. Prandaj, nëse zgjedhje kërkon partia më e madhe opozitare, ata edhe do t’i ketë.”, u shpreh Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
 
Ditë më parë lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaron se partia e tij nuk do të jetë alibi për zgjedhjet që po i pretendon qeveria. Sipas tij qeveria do të realizojë zgjedhje në momentin kur atij t'i mbarojnë paratë për tenderë korruptivë. Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët shprehën gatishmëri për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
 
FLORIJE KAMBERI