Maqedoni

Akuzat e LSDM-së, BDI: audio-xhirimet, keqinterpretime tendencioze

17.06.2015 14:41

Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, i ka quajtur keqinterpretime tendencioze audio-xhirimet e publikuara nga lideri i LSDM-së...

Zaev keqpërdori biseda private për nevoja të tij politike në mënyrë që të krijojë opinion të gabuar publik, thotë Mexhiti.
 
Sipas tij, në “bombën” e Zaevit flitet për objektin e BDI-së që gjendet në Qendrën Tregtare ”Mavrovasja”, e cila nuk shfrytëzohet, prandaj dhe është vënë në shitje. 
 
Nga BDI-ja publikuan edhe emrin e afaristit të apostrofuar në të ashtuquajturat “bomba” të opozitës. Bëhet fjalë për afaristin, Fatmir Molladauti, që ishte blerës potencial i objektit në fjalë, por me të cilin nuk u arrit marrëveshje për shkak të çmimit.
 
“Tendenca për ta prezantuar përpjekjen e kryetarit Ahmeti për shitje të pronës partiake,  si krim korruptiv, sjell dyshime se “e vërteta për Maqedoninë”  qenka jo në bisedat e përgjuara, por në prezantimet dhe interpretimet tendencioze. Dokumentet që ju prezantojmë sot dëshmojnë se ky objekt është pronë e BDI-së, i cili për fat të keq asnjëherë nuk u përdor nga organet partiake, andaj dhe kemi vendosur që ta shesim, me qëllim që me mjetet e fituara të sigurojmë zyra për  degët e BDI-së gjithandej. Afaristi i apostrofuar në përgjimet e paligjshme si blerës potencial, Fatmir Molladauti, ka qenë blerës potencial, por prona ende nuk është shitur, sepse nuk jemi marrë vesh. Sot po argumentojmë se “krimet” e pretenduara dhe akuzat e djeshme ekzistojnë vetëm në paralajmërimet e përgjimeve dhe aspak në bisedat e përgjuara”- deklaroi nënkryetari i BDI-së, Izet Mezhiti.
 
Edhe afaristi, Fatmir Molladauti, konfirmon se ka qenë i interesuar për të blerë objektin, por nuk i ka leverdisur çmimi i ofruar për të mbyllur marrëveshjen.
 
“Kishte një ofertë publike këtu, mora vesh që shitet një dyqan dhe kontaktova  me njerëzit, bëmë një bisedë, por çmimi ishte jo i volitshëm, dyqani nuk është në gjendje të mirë dhe vendosa të mos e blej”- tha afaristi, Fatmir Molladauti.
 
Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, thotë se publikimi i bisedave private dhe vlerësimeve personale brenda partiake nuk e ndihmojnë demokracinë dhe të njëjtat nuk janë në interes publik.
 
Ata që vërtetë interesohen për këtë vend, duhet të vënë interesin shtetëror mbi atë partiak, shton Mexhiti, duke kërkuar nga LSDM të ndihmojë në realizimin e marrëveshjes së 2 qershorit. 
 
SANIJE KASAMI