Maqedoni

31 zjarre në 24 orë, 8 ende aktive, Angjelov: Fshati Bonçe ishte në duart e zjarrfikësve

23.08.2026 14:20

Një katastrofë u shmang në fshatin Bonçe të Prilepit...

Një katastrofë u shmang në fshatin Bonçe të Prilepit, ku sot rreth orës 4:00 të mëngjesit, erërat e forta i shtynë flakët drejt zonës së banuar, deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov. Sipas tij, zjarri u përhap me shpejtësi drejt luginës dhe iu afrua shtëpive, ndërsa situata ishte jashtëzakonisht serioze.
 
“Falë zjarrfikësve të guximshëm, fshati u shpëtua. Madje, edhe unë isha pesimist se do të arrinim ta realizonim këtë. Fshati ka rreth 50-60 shtëpi, të shpërndara nëpër kodra me bimësi të lartë. Kërkova ndihmë edhe nga zjarrfikësit e Prilepit dhe Kavadarit, ndërsa zjarrfikësit nga Kavadari tani janë këtu. Vullnetar edhe nga Manastiri ishin këtu. Po të mos ishin këtu, zjarri do të përhapej nëpër fshat dhe do të përballeshim me një pamje të tmerrshme. Atje jeton edhe një nënë e re me foshnjën e saj, të cilën e kam parë këto ditët e fundit.”, u shpreh drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov.
 
Situatë serioze u paraqit edhe pranë fshatit Paligrad, në Komunën e Studeniçanit, ku zjarri gjithashtu është afruar pranë zonës së banuar.
 
“Zjarri u afrua rreth 100 metra tek shtëpitë e fshatit Paligrad në malin Kitka diku në komunën e Studenicanit. Aty ka një ekip zjarrfikësish profesionistë që janë në gatishmëri. Aty po veprojnë edhe avionët ‘Air Tractor’. Ai zjarr, që ndodhet në malin Kitka, është shuar disa herë.”, u shpreh Angelov.
 
Gjithsej 31 zjarre në hapësira të hapura janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit, prej të cilëve tetë janë aktivë, ndërsa 23 janë shuar, informoi Qendra për Menaxhim me Kriza. Zjarr aktiv ka edhe në rajonin e Kërçovës, pranë fshatit Tajmishtë, në vendin e quajtur Darda, ku po digjet pyll ahu me trungje të larta.  Në Vrapçisht janë aktivë zjarret pranë fshatrave Lomicë dhe Gjurgevishtë, ku po digjet pyll i përzier. Në Mavrovë dhe Rostushë zjarri është pranë fshatit Cerovë, ndërsa në Zhelinë, po ashtu pranë fshatit Cerovë, po digjen vegjetacion i ulët dhe fier.
 
Nga Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike njoftojnë se nesër do të mbajë mot pjesërisht i vranët dhe i ngrohtë, me intervale me diell. Temperaturat do të ulen lehtë dhe do të lëvizin nga 29 deri në 38 gradë.
Pasdite priten reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë e fortë, ndërsa në disa zona mund të ketë stuhi me erë të fuqishme dhe breshër.
 
Qeveria ka shpallur gjendje krize në të gjithë vendin deri në fund të gushtit për shkak të rrezikut nga zjarret në hapësira të hapura dhe pyje. Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin masa mbrojtëse ndaj të nxehtit. 
 
ARMEND MURSELI