Maqedoni

Spitalet modulare, VMRO-DPMNE akuzon Filipçen, kërkon përgjegjësi

23.08.2026 14:54

VMRO-DPMNE vazhdon akuzat ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe...

VMRO-DPMNE vazhdon akuzat ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, pas vendimit të Prokurorisë për të mos hapur hetim për mënyrën e prokurimit të spitaleve modulare. Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE, akuzoi Filipçen se gjatë krizës shëndetësore nuk ka menduar për pacientët, por për përfitime, duke pretenduar se çmimi i spitaleve modulare është rritur me 20 për qind përmes një aneksi të marrëveshjes. Kritikoi edhe prokurorin Islam Abazi, duke e akuzuar se po e mbron Filipçen.
 
“Edhe pse vendi ishte në një krizë shëndetësore, Filipçe në atë moment mendonte vetëm për fitimin dhe jo për jetët e njerëzve. Për këtë flet edhe fakti se ai kishte lidhur një aneks të marrëveshjes me kompaninë që vendoste spitalet modulare dhe e kishte rritur çmimin me 20%. Në këtë kontekst, pavarësisht vendimit të prokurorit të LSD-së dhe BDI-së, Abazi, publiku duhet ta dijë se në rast të provave të reja, procedura për të njëjtën vepër mund të zhvillohet sërish. Tani qytetarët duhet të dëgjojnë një shpjegim nga Abazi se pse po e mbron Filipçen? Gjithashtu, pse Filipçe e rriti çmimin e spitaleve modulare dhe ku përfunduan këto para?”, u shpreh Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
 
VLEN: Abazi të shpjegojë vendimin, akuzojn BDI-në
 
Edhe VLEN kërkon përgjegjësi dhe transparencë për 14 viktimat e zjarrit në spitalin modular në Tetovë. Nga partia kërkuan shpjegime nga Islam Abazi për vendimin e Prokurorisë, ndërsa akuzuan edhe Ali Ahmetin dhe BDI-në për heshtje politike lidhur me tragjedinë. 
 
“Pas reagimit të djeshëm të VLEN-it, pritëm një përgjigje nga Ali Ahmeti dhe BDI-ja. Ajo nuk erdhi. Përballë tragjedisë së 14 viktimave në Tetovë, heshtja e tyre vazhdon. Ndërkohë, dalin në pah edhe më shumë pyetje rreth mënyrës se si Prokuroria arriti në përfundimin për mbylljen e procedurës për prokurimet e 19 spitaleve modulare. Islam Abazi, i cili sot drejton Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duhet t’i japë publikut një shpjegim të qartë dhe të plotë për këtë epilog.”, thonë nga VLEN. 
 
LSDM: Prokuroria konstatoi se nuk ka përgjegjësi
 
Ndërkohë, nga LSDM, kundërpërgjigjen se për pesë vite VMRO-DPMNE dhe Hristijan Mickoski kanë zhvilluar, siç thonë, një fushatë politike kundër Venko Filipçes, duke e shfrytëzuar tragjedinë e Tetovës. Sipas LSDM-së, Prokuroria ka konstatuar qartë se nuk ka bazë për përgjegjësi të Filipçes.
 
“Spitalet modulare u siguruan përmes një procedure ndërkombëtare të Bankës Botërore, me mekanizma kontrolli, në kohën e krizës më të madhe shëndetësore në historinë e kohëve të fundit. Këto spitale nuk u ndërtuan për përfitime nga tenderët, por për të shpëtuar jetë. Ato u ndërtuan në një kohë kur spitalet ishin të mbingarkuara, kur nuk kishte shtretër të mjaftueshëm dhe kur punonjësit shëndetësorë luftonin për çdo pacient. Nëse do të kishte edhe bazën më të vogël për përgjegjësi penale të Filipçes, a beson dikush se Mickoski dhe VMRO-ja nuk do të gjenin një mënyrë për ta shfrytëzuar atë?”, u shpreh Keti Shterjova nga LSDM.
 
Nga Prokuroria qartë vërtetuan se nuk ka bazë për përgjegjësi thonë nga LSDM.
 
FLORIJE KAMBERI