Komunat e Pollogut në aksion kundër mushkonjave

23.08.2026 15:32

Komunat e Pollogut kanë marrë masa për dezinfektimin e hapësirave...

Komunat e Pollogut kanë marrë masa për dezinfektimin e hapësirave, pas shtimit të mushkonjave dhe shqetësimit të ngritur nga rastet me Ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut. Në disa komuna spërkatja tashmë është realizuar, ndërsa në Tetovë aksioni i radhës është planifikuar për ditën e hënë, nëse kushtet atmosferike e lejojnë.
 
“Dezinfektimi i radhës do të bëhet ditën e hënë nga ora 22:00, varësisht nëse do të ketë kushte të përshtatshme atmosferike. Nëse moti premton, do të kryhet të hënën, përndryshe do të shtyhet për një ditë tjetër. Ju bëjmë apel qytetarëve, e veçanërisht bletarëve, që t'i respektojnë masat mbrojtëse që ky proces të kalojë pa probleme.”, u shpreh zëdhënësi i Komunës së Tetovës, Albion Alili.
 
Nga Komuna e Zhelinës, thonë se dezinfektimi tashmë është realizuar. Sipas tyre është përmbushur obligimi lidhur me dezinfektimin, ndërsa procesi është zhvilluar gjatë javës së kaluar.
 
“Komuna e Zhelinës e ka përmbushur obligimin e saj lidhur me dezinfektimin. Procesi është realizuar gjatë javës së kaluar, në kuadër të masave të parapara për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik.”, thonë nga Komuna e Zhelinës.
 
Masa konkrete janë ndërmarrë edhe në Komunën e Tearcës. Sipas kryetarit të komunës, Daut Memeshi, pas shtimit të mushkonjave në disa qytete të vendit, është realizuar dezinfektimi i hapësirave në territorin e Tearcës.
 
“Duke parë problematikën e paraqitur me shtimin e mushkonjave në disa qytete të vendit, në Komunën e Tearcës kemi ndërmarrë masa konkrete. Kemi realizuar dezinfektimin e hapësirave në territorin tonë, me qëllim parandalimin e përhapjes së insekteve dhe krijimin e kushteve më të sigurta për shëndetin e banorëve. Do të vazhdojmë të reagojmë në kohë ndaj çdo rreziku shëndetësor.”, u shpreh kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi.
 
Ndërkohë, nga Qendra për Shëndet Publik në Tetovë bëjnë me dije se dezinfektimi është përmbyllur edhe në territorin e Komunës së Bogovinës. Me këto masa, komunat synojnë të ulin praninë e mushkonjave dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
 
VISAR SADIKI