Periudha e verës me probleme të traktit digjestiv
23.08.2026 15:18
Temperaturat e larta shkaktojnë shqetësime gastrointestinale duke rritur numrin e pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore...

Temperaturat e larta shkaktojnë shqetësime gastrointestinale duke rritur numrin e pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore. Mjekja Ferihane Bajrami për TVM2 thekson që pacientët në këtë periudhë zakonisht vuajnë nga barkqitja, vjellja, dhe temperatura e lartë. Moshat më të rrezikuara janë fëmijët e vegjël dhe të sëmurët kronikë.
“Temperaturat e larta të verës rrisin dukshëm numrin e të sëmurëve me simptome gastrointestinale. Pacientët të cilët lajmërohen në ambulancat tona zakonisht janë me temperatura të larta që arrijnë në 38-39 gradë Celsius, vjellje, dhimbje barku si dhe barkqitje. Më të rrezikuar janë pacientët e vegjël nën moshën 1 vjeç, parashkollorë si dhe me sëmundje kronike. Pacientët me gjendje klinike më të rëndë zakonisht trajtohen me terapi paraentrale gjegjësisht gjë që nënkuptohen me infuzione ndërsa rastet më të lehta me terapi orale me elektrolite, probiotik si dhe regjim dietal.”, u shpreh për TVM2 mjekja Ferihane Bajrami.
Mjekja Ferihane Bajrami apelon qytetarët për kujdes të shtuar gjatë shëtitjeve në natyrë pasi që ka raste me alergji të ndryshme që vijnë si pasojë e kafshimeve nga insektet në natyrë.
“Në këtë periudhë nuk mungojnë edhe rastet e alergjive të ndryshme, kafshimet nga insektet të cilët i trajtojmë në mënyrë ambulantore me infeksione apo terapi orale. Nga analizat laboratorike që i bëjmë në këtë periudhë zakonisht kemi vlera normale të markerëve inflamatorë, ndërsa nga ato mikrobiologjike kemi enterovirus, streptokok pneumonia si dhe hemofilus influencia. Numri i të sëmurëve në këtë periudhë brenda 24 orëve arrin në 50-60 pacientë, ndërsa për momentin kemi të hospitalizuar 10 pacientë në repartin tonë të moshës 9 vjeç.”, u shpreh Bajrami për TVM2.
Mjekja Bajrami rekomandon qytetarët se me rëndësi të madhe është higjiena maksimale, larja e duarve, larja e ushqimit, marrja e ushqimit të freskët dhe të përgatitur vetë në shtëpi. Konsumimi i lëngjeve, posaçërisht ujit, dhe probiotikut si dhe largimi nga personat e sëmurë. Po ashtu thekson që qytetarët të mos ekspozohen në temperatura të larta nga ora 11deri në orën 17.00.
VLORA LATIFI TOPOJANI
