“Lagjja e trimave” në Kumanovë, përfundon vlerësimi i dëmeve, banorët të kënaqur nga vlerësimi
Ka përfunduar procesi i tërësishëm i vlerësimit të dëmeve të shtëpive dhe pronës tjetër të shkaktuar gjatë përleshjeve të 9 dhe 10 majit në “Lagjen e trimave” në Kumanovë...

Mbrëmë edhe zyrtarisht në mbledhjen e fundit qeveria ka sjellë vendimin për kompensim të qind për qind të qytetarëve për pronat e dëmtuara.
Këtë sot edhe zyrtarisht banorëve të lagjes në një takim të përbashkët ua kumtoi ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit për Vlerësimin e Dëmeve, Ejup Halimi, dhe deputetët e zonës. Ministri Shabani dhe koordinatori Halimi në detaje i njoftuan qytetarët rreth procedurës së mëtejme rreth rindërtimit dhe rinovimit të shtëpive të tyre.
“Qeveria mori vendim që dëmet të paguhen në formën financiare drejtpërdrejtë në xhirollogaritë e qytetarëve. Sot erdhëm të bisedojmë për mundësitë dhe modalitetet, që punën ta përshpejtojmë dhe të arrijmë deri tek zotimi ynë, që lagjen ta kthejmë në gjendjen e mëparshme. Prej nesër do të fillojë pastrimi i lagjes në kuptimin e rrënojave dhe mbeturinat të cilat kanë mbetur nga aksioni”- deklaroi ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani.
Nga ana tjetër, pjesa dërmuese e banorëve të lagjes së trimave mbeten të kënaqur me vlerësimin e kryer nga ana e komisionit dhe me vendimin e qeverisë për kompensimin qind për qind të dëmeve.
Ndërkohë Ejup Halimi i njohtoi banorët se sa i përket kompenzimit të qerasë deri në qëndrimin e tyre me qera, do të ketë lehtësi, pasiqë nuk do të ketë nevojë të bëhet kontratë e noterizuar por paratë u lëshohen drejtpërsëdrejti në xhiro llogarinë bankare. (Nexhat Aqifi, TVM2)
