Shoqata e Energjetikës: Çmimi i energjisë në RM, më i ulëti në rajon
Modernizimi i rrjetit të EVN-së, investimet në ELEM, efikasiteti energjetik, aktualizimi i situatës në sektorin e naftës dhe gazifikimit ishin temat e konferencës së sotme “Sfidat e energjisë në Maqedoni”...

Shoqata e Energjetikës vlerëson se për t’u realizuar të gjitha investimet e nevojshme në sektorin energjetik dhe për të pasur zhvillim të qëndrueshëm, duhet që çmimi i energjisë elektrike të jetë real.
“Të gjitha këto tema që i bisedojmë sot kanë një emërues të përbashkët, qëndrueshmëria e sektorit energjetik. Në vetë tregun energjetik, kushtet e diktojnë çmimin dhe ai zhvillim i qëndrueshëm është i pamundur pa investime. Pa respektim të çmimeve të tregut, rëndë do e kemi që të zhvillohemi”- deklaroi kryetari i Shoqatës së Energjetikës, Risto Janevski.
Sipas Janevskit, për shkak të çmimit të ulët të energjisë elektrike shumica e qytetarëve janë duke u ngrohur me rrymë dhe qëllimi është që kjo përqindje të ulet në të ardhmen, dhe një nga alternativat është gazifikimi.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se banorët e Maqedonisë paguajnë çmimin më të ulët të energjisë elektrike në rajon. Në Serbi, çmimi i energjisë elektrike u rrit për 12%, ndërsa në Bullgari është paralajmëruar rritje të çmimit nga muaji i ardhshëm. (Ersan Pajaziti, TVM2)
