Rajon
Xho DioGuardi dhe Shirli Klojs DioGuardi, shtetas të rinj të Republikës së Kosovës
24.08.2026 13:35
Ish-kongresisti amerikan, shqiptaro-amerikani Xho DioGuardi dhe aktivistja Shirli Klojs DioGuardi, u bënë shtetas të Republikës së Kosovës....

Ish-kongresisti amerikan, shqiptaro-amerikani Xho DioGuardi dhe aktivistja Shirli Klojs DioGuardi, u bënë shtetas të Republikës së Kosovës. Dorëzimi i dekretit të shtetësisë u bë nga ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu, në një ceremoni të veçantë në zyrën e Presidencës.
“Xho dhe Shirli DioGuardi janë ndër ata miq që Kosova i pati pranë para se emri i saj të zinte vend në agjendën e politikës amerikane. I nderuar Xho, përkushtimi juaj ndaj çështjes shqiptare kishte pas vetes një trashëgimi shumë më të vjetër se jeta juaj politike. Ajo vinte nga familja juaj arbëreshe nga Greci i Italisë, prej një bashkësie që shekuj pasi ishte shkëputur nga trualli i të parëve vazhdonte ta ruante shqipen dhe kujtesën e prejardhjes dhe lidhjen me botën shqiptare.”, - deklaroi u.d. presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu.
Tanimë si shtetas i Kosovës, Xho DioGuardi tha se ishte shumë e ndërlikuar të krijohej një shtet i ri i quajtur Kosovë. Ai ka shprehur shqetësimin edhe për ngërçin politik në Kosovë, duke thënë se situata aktuale mund të krijojë argumente që vënë në pikëpyetje funksionimin e shtetit.
“Ne jemi këtu, sepse pikërisht tani, ligjërisht, dikush mund të bëjë argumentin se nuk ka shtet të Kosovës, për shkak të mënyrës se si kanë evoluar gjërat pas zgjedhjeve dhe të gjitha zhvillimeve të tjera. E urrej ta them në këtë mënyrë, sepse ju nuk dëshironi ta dëgjoni këtë, por duhet të jemi të kujdesshëm.”, - theksoi ish-kongresisti i ShBA-së, Xho DioGuardi.
Ndërkaq, Shirli Klojs DioGuardi e ka cilësuar si jashtëzakonisht të rëndësishëm vendimin për dhënien e shtetësisë së Kosovës, duke theksuar se ata janë qytetarë të vërtetë të Kosovës. Ajo njëherësh u ndal edhe te periudha e kundërshtimit ndaj regjimit të Slobodan Millosheviqit.
“Ajo që ndodhi me Xhoin ndodhi në fund të viteve ’80-ta. Pastaj ne u takuam në vitin 1984, si dy prej të paktëve individë në Shtetet e Bashkuara që e kuptonin rrezikun në rritje që paraqiste Slobodan Millosheviqi. Dhe unë dhe Xhoi do të punonim me bordin tonë për vite me radhë për të arritur deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.”, - u shpreh aktivistja, Shirli Klojs DioGuardi.
Xho DioGuardi, ish-kongresist amerikan dhe ish-kreu i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, është konsideruar një nga miqtë e mëdhenj të Kosovës dhe një zë i fuqishëm në ShBA për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ndërsa Shirli Klojs DioGuardi ka qenë për shumë vite aktive në promovimin e çështjes së Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
GYLTENE SINANI
