Maqedoni
Përvjetori i Pavarësisë së Ukrainës, Kuvendi i RMV-së me seancë të veçantë
24.08.2026 14:41
Shtëpia legjislative ia kushtoi një seancë 35-vjetorit të Pavarësisë së Ukrainës...

Shtëpia legjislative ia kushtoi një seancë 35-vjetorit të Pavarësisë së Ukrainës, duke shprehur mbështetje për pavarësinë dhe paqen. Katër vitet e fundit të pavarësisë, Ukraina i shënon nën kushte të vështira, me shumë viktima të pafajshme dhe me një çmim të lartë të cilin e paguan populli ukrainas, tha në hyrje të sesionit nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshovski, duke thënë se Ukraina është pjesë e pashkëputur e mozaikut të popujve evropian. Shtoi se agresioni ndaj Ukrianës është njëkohësisht agresion ndaj arkitekturës së sigurisë dhe paqes evropiane.
“Mesazhi ynë sot është i thjeshtë dhe i qartë: çdo popull demokrat në botë, veçanërisht në Evropë duhet ta japë përkrahjen për Ukrainën dhe me të të dëshmojë se ndajmë vlera të përbashkëta dhe me vetë atë që i përkasim familjes së përbashkët. Shpresojmë se edhe BE-ja do t’i shqyrtojë këto perspektiva gjeopolitike dhe në një mënyrë më të shpejtë dhe më pragmatike të mundësojë që të gjitha vendet kandidate, përfshirë edhe Ukrainën, të integrohen në politikat evropiane.”, - deklaroi nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshovski.
Në mbështetje të Ukrainës dhe pavarësisë së saj janë edhe deputetët tjerë të Kuvendit.
“Me përkrahjen e Ukrainës ne e mbrojmë parimin se e drejta e rendit ndërkombëtar duhet të vlejë për të gjithë njësoj, pa dallim të madhësisë dhe forcës së një shteti.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.
Duke falënderuar mbështetjen e pandërprerë të RMV-së, ambasadorja e Ukrainës, Larisa Dir, potencoi ndihmën për arsenalin ushtarak që i mungon Ukrainës në luftim me federatën ruse.
“Në kohën e agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës, forca na vjen nga përkrahja nga vendet tona partnere, që i sigurojnë Ukrainës mbështetje ushtarake, financiare, humanitare në krijimin dhe funksionimin të tribunalit special për veprën penale, agresionin e Federatës Ruse kundër Ukrainës… Ukrainasit, shpresoj se do të mund të arrijnë paqe në tërë territorin e vet, sepse kanë karakter. Ukraina për këtë ka kapacitet. Kemi forcë dhe shpirt për rezistencë, por na duhet edhe ndihmë.”, - theksoi ambasadorja e Ukrainës, Larisa Dir.
Ukraina meriton pavarësi, ndërsa populli ukrainas paqe, theksuan në seancë ambasadorët e huaj.
“Patjetër ta përkrahim Ukrainën dhe popullin e saj. Përkrahja për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial nuk është vetëm ndihmë për popull të lirë, por bëhet fjalë për të drejtën ndërkombëtare dhe sigurinë e kontinentit evropian.”, - u shpreh ambasadori francez, Kristof Le Rigoler.
“Përkrahja jonë për Ukrainën nuk është vetëm sjellje e mirë, nuk është vetëm luftë për territorin e saj, por përkrahje esenciale e rendit të përgjithshëm evropian.”, - theksoi ambasadorja e Gjermanisë, Petra Dreksler.
Grupi parlamentar ndërpartiak në mbështetje të Platformës së Krimesë në Kuvend është formuar më 7 tetor 2024.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
