Maqedoni
QMK: Aktualisht 5 zjarre aktive
24.08.2026 15:15
Zjarret vazhdojnë të mbajnë në alarm ekipet në terren....

Zjarret vazhdojnë të mbajnë në alarm ekipet në terren. Vetëm të hënën janë regjistruar 14 zjarre në ambiente të hapura. Tetë janë shuar, një është nën kontroll, por pesë vatra vazhdojnë të digjen. Më të vështira janë ndërhyrjet në Studeniçan dhe Zelenikovë, Makedonski Brod, Ilinden dhe Saraj, ku në disa zona zjarri ka përfshirë edhe sipërfaqe pyjore. Ekipet vazhdojnë të jenë në terren, ndërsa çdo riaktivizim i flakëve i detyron të kthehen sërish në të njëjtat zona. Qendra për Menaxhimin e Krizave ka bërë një apel të ri drejtuar qytetarëve që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm, veçanërisht në periudhën kur rreziku nga zjarret është shtuar.
"Apelojmë për përgjegjësi dhe kujdes maksimal. Zjarret, qofshin ato të vëna me qëllim, apo të shkaktuara nga pakujdesia, lënë pasoja për të gjitha qeniet e gjalla. Le ta ruajmë natyrën, të mbrojmë njerëzit, pronën dhe kafshët.", thuhet në njoftimin me shkrim të Qendrës për Menaxhim me Kriza.
Ndërkohë, mbi disa pjesë të Shkupit, si Vizbegu, Shuto Orizarja, Çairi dhe Gazi Baba, u vërejt një shtresë e dendur tymi. Nga QMK për TVM2 thonë se nuk kanë marrë njoftim për shpërthim të ndonjë zjarri të ri dhe sipas tyre, tymi shpërndahet nga era, nga ndonjëra prej vatrave që janë aktive në zona përreth kryeqendrës, përfshirë edhe rajonin e Ilindenit. Zjarret në shumë pjesë, temperatura e lartë dhe lagështia e ulët e ajrit dhe erës së dobët, kontribuon në mbajtjen e tymit dhe substancave të dëmshme në shtresën atmosferike mbi qytet. Sipas të dhënave të fundit nga platforma globale për monitorimin e ndotjes “IQAir”, ajri në Shkup është klasifikuar në kategorinë “I pashëndetshëm”. Në stacionet e matjes, niveli i tyre ka shkuar deri në 61 mikrogram për metër kub. Kjo është shumë mbi nivelin që rekomandon Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe tregon se ajri është mjaft i ndotur.
SANIJE DURAKU
