Ukrainë, 35-vjetori i Pavarësisë në gjendje lufte

24.08.2026 15:45

Sulmet ruse në periferi të Harkivit, në Ukrainë, kanë shkaktuar tre viktima....

Sulmet ruse në periferi të Harkivit, në Ukrainë, kanë shkaktuar tre viktima. Ndërsa sulmet ukrainase me dronë ndaj infrastrukturës së naftës kanë shkaktuar mungesa serioze të karburantit në të paktën 30 rajone në të gjithë Rusinë. E derisa luftimet vijojnë, Ukraina për të pestin vit me radhë në gjendje lufte po shënon 35-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
 
Më 24 gusht 1991, parlamenti ukrainas, miratoi Aktin e Pavarësisë, duke shpallur krijimin e një shteti sovran dhe të pavarur. Pavarësia u konfirmua më tej përmes referendumit kombëtar të zhvilluar më 1 dhjetor 1991, ku 90.32% e votuesve u shprehën për pavarësi. Duke uruar ukrainasit, presidenti Zelenski theksoi se që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022, Ukraina po mbron pavarësinë e saj në mënyrë efektive. Sipas Zelenskit, ukrainasit duan paqe, por ata nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga territoret e shtetit të tyre.
 
“Ukraina do ta arrijë paqen e saj. Në të gjitha planet e tij për Ukrainën, Putini bëri një gabim të madh. Armiku numëroi burimet tona, depot tona, pajisjet tona, por harroi gjënë më të rëndësishme, popullin tonë. Arritja më e madhe e pavarësisë së Ukrainës është populli i saj. Ukraina padyshim dëshiron paqe, por Ukraina nuk është e gatshme thjesht të dorëzohet.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt presidentit rus, Zelenski tha se Rusia synonte të merrte të gjithë Ukrainën, por, sipas tij, në vend të kësaj ka humbur flotën, rafineritë dhe të ardhurat, ndërsa një brez i tërë rusësh është dërguar në luftë. Sipas Zelenskit, Rusia synonte të fshinte Ukrainën nga harta, por tashmë Rusia po humbet peshë në skenën ndërkombëtare. Ndërkohë udhëheqësit evropianë dhe ato amerikan vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën. 
 
“Para 35 vitesh, ju zgjodhët lirinë. Sot po e mbroni atë. Pavarësia e Ukrainës nuk është një dhuratë. Është një premtim që e mbajnë çdo burrë dhe grua që qëndruan në këmbë kur ishte më e rëndësishmja.”, - theksoi i dërguari special i ShBA-së për Ukrainë dhe Rusi, Keit Kelog. 
 
“Koalicioni i të gatshmëve”, nga vendet evropiane si Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, kanë arritur në Kiev për të shprehur mbështetjen, përfshi një paketë të re prej 6.1 miliardë eurosh për forcimin e mbrojtjes së Ukrainës. Financimi i ri do të përdoret për sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketore, raketa, municione dhe radarë. Qëllimi është forcimi i aftësisë së Ukrainës për të mbrojtur territorin dhe popullsinë e saj nga sulmet ruse. Paketa është pjesë e një kredie më të gjerë prej 90 miliardë eurosh të miratuar nga BE-ja në fillim të këtij viti. Fondet do të shpërndahen përgjatë vitit 2026 dhe 2027.
 
ABIBE QAILI