Filipçe: LSDM-j është e përgatitur për zgjedhje
24.08.2026 15:46
Filipçe thotë se partia e tij është gati për zgjedhje...

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, thotë se partia e tij është gati për zgjedhje, edhe nëse ato mbahen menjëherë, por kjo nuk do të jetë alibi për Hristijan Mickoskin për llogaritjet e tij politike. Filipçe madje ka theksuar se LSDM-ja ka gati edhe platformën që do t’u prezantohet qytetarëve dhe është e gatshme të bashkëpunojë me partitë opozitare, duke e përfshirë edhe Të Majtën, vetëm me kusht që e njëjta të heqë dorë nga qëndrimet e tyre që kanë kundër integrimit të vendit në NATO dhe në BE.
“Kemi thënë se nuk do të jemi alibi për zgjedhjet të parakohshme për kryeministrin Hristijan Mickoski. Është e qartë se parametri i vetëm që e bën atë të kërkojë zgjedhje është se nuk ka më para në buxhet për tenderët e tij kriminalë. Tani nuk ka ku të marrë hua kaq lehtë, sepse mentori i tij Orban nuk është më në pushtet, nuk ka ku të marrë para kineze. Ne jemi gati për zgjedhje. Le të ndodhin nesër, ne jemi gati për zgjedhjet nesër, si me ekipin ashtu edhe me programin, me planin master për Maqedoninë dhe marrëveshjen me qytetarët që do ta prezantoj gjatë shtatorit. Gjashtë pika, të përcaktuara qartë dhe mirë në mënyrë që qytetarët të dinë se për çfarë do të votojnë kurdo që të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme.”, - deklaroi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.
VMRO-DPMNE: Filipçe, i vetmi që nuk dëshiron zgjedhje
Kanë reaguar nga VMRO-DPMNE, sipas së cilës, Filipçe është plotësisht i shkëputur nga realiteti, ai përsërit atë që Zaevi i dikton. Sa u përket zgjedhjeve epilogu është i qartë, prandaj ai ikën nga përballja me qytetarët, thonë nga partia maqedonase në pushtet.
“Sa i përket zgjedhjeve, i vetmi person në vend që nuk dëshiron zgjedhje dhe ikën prej tyre është Venko Filipçe dhe llumi i LSD-së. Nga e hëna është e qartë se si për të, ashtu edhe për sedimentin është e qartë se çfarë lloj disabli do të përjetojnë dhe si do të mposhten nga qytetarët.”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Pro zgjedhjeve të parakohshme janë shprehur nga Bashkimi Demokratik për Integrim, ASh-ja dhe nga E Majta. Ndërsa për VLEN-in zgjedhjet nuk janë prioritet, por nëse vendi do të shkonte në zgjedhje, populli do t’i jepte goditjen e fundit Ali Ahmetit dhe BDI-së.
FITIM KRYEZIU
