Gjykimi për "Lotarinë Shtetërore", u anulua gjykimi, kërkohet shqyrtim i provave

24.08.2026 15:47

Me dosje voluminoze prej 231 provave materiale dhe shtatë dëshmitarë ka filluar procesi gjyqësor për rastin "Lotaria Shtetërore"...

Me dosje voluminoze prej 231 provave materiale dhe shtatë dëshmitarë ka filluar procesi gjyqësor për rastin "Lotaria Shtetërore" ku në mesin e tetë të akuzuarve është edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi. Seanca e parë megjithatë u zhvillua me pranimin e kërkesave të mbrojtjes për shtyrjen e procesit, pasi që pjesë e avokatëve deklaruan se nuk e kishin pranuar aktakuzën dhe provat e Prokurorisë. Gjyqtarja Biljana Shuplinovska-Jolevski shpjegoi se për shkak të vëllimit, provat nuk janë dërguar me postë, por janë vendosur në kuti në gjykatë, ku avokatët mund t’i marrin dhe t’i shqyrtojnë. Meqë bëhet fjalë për një lëndë me masë paraburgimi, avokatëve do t’u lihet kohë për t’u njohur me provat.

 
“Tani e morëm në seancë gjyqësore, ta shohim se çfarë është shkruar dhe do ta komentojmë.”, - tha avokati.
 
Pas kësaj, seancat priten të zhvillohen dy herë në javë. Në këtë rast, përveç Grubit, të akuzuar janë edhe Përparim Bajrami, Metodija Dimovski, Skender Mehmetin, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrovski dhe Bashkim Avdi. Ata akuzohen për keqpërdorime të lidhura me funksionimin e Lotarisë Shtetërore, keqpërdorim të autorizimit dhe pozitës zyrtare lidhur me sigurimin e terminaleve të lotarisë për Lotarinë Shtetërore. Me këtë veprim, sipas aktakuzës, ata kanë dëmtuar buxhetin 8.2 milionë euro. Për veprën për të cilën ngarkohen të akuzuarit është i paraparë dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet. Ish-kryeministri Grubi u arrestua në muajin shkurt dhe aktualisht është në paraburgim shtëpiak. Aktakuzën para gjykatës e përfaqësojnë prokurorët Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit, ndërsa seanca e radhës është caktuar më 7 shtator.
 
Lidhur me ketë rast kanë reaguar nga partia politike në pushtet VLEN-i. Ata theksojnë se në kohën kur Grubi është para gjykatës, Ali Ahmeti është nën presion, ndërsa Bujari pret karrigen e kryetarit të BDI-së. Ndërsa nga BDI-ja kanë kërkuar gjykim të drejtë, pa ndërhyrje politike në punën e gjyqësorit. 
 
FLORIJE KAMBERI