Botë

Iran, tensione të reja me ShBA-në, rritet presioni në Ngushticën e Hormuzit

24.08.2026 16:09

Përshkallëzohen tensionet mes Iranit dhe ShBA-së, për shkak se Uashingtoni përgatitet të vendosë sanksione...

Përshkallëzohen tensionet mes Iranit dhe ShBA-së, për shkak se Uashingtoni përgatitet të vendosë sanksione, të cilat sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, i ka cilësuar si “më të ashprat në histori”, në një përpjekje për të izoluar ekonomikisht Teheranin. Por, nga Irani vjen një përgjigje e prerë: ministri i Jashtëm Abbas Araghchi i ka cilësuar kërcënimet e reja si shenjë dëshpërimi, duke deklaruar se Teherani nuk frikësohet dhe se masat amerikane do të dështojnë. Në të njëjtën linjë, Teherani u drejton një paralajmërim të qartë edhe vendeve që mund të bashkëpunojnë me Uashingtonin në zbatimin e sanksioneve, ndërsa tensionet janë përshkallëzuar edhe në Ngushticën strategjike të Hormuzit. Irani ka futur në listën e zezë 45 cisterna, duke i akuzuar për shkelje të rregullave të transitit, ndërsa anijet mund të përballen me gjoba, ndalim ose konfiskim të ngarkesave.
 
“Në këtë drejtim, paralajmërimet e nevojshme sigurisht që janë dhënë, sepse çdo bashkëpunim me Amerikën në zbatimin e veprimeve të saj agresive kundër Iranit do të ketë patjetër pasojat e veta.”, - deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme i Iranit, Esmaeil Baqaei.
 
Teherani ka paralajmëruar gjithashtu se, nëse vazhdon presioni ekonomik amerikan, mund të ndalojë eksportet e naftës nga Gjiri. Një zhvillim i tillë do të shtonte shqetësimet për furnizimin global me energji, në një kohë kur tensionet në Ngushticën e Hormuzit mbeten të larta. Në planin diplomatik, përpjekjet për të ulur tensionet vazhdojnë, ndërsa një zyrtar i lartë pakistanez ndodhet në Teheran në përpjekje për të ndërmjetësuar mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Edhe Omani pritet të dërgojë ministrin e Jashtëm në Teheran për bisedime mbi sigurinë rajonale dhe situatën në Ngushticën e Hormuzit. Ndërkohë, Kina ka deklaruar se do të mbrojë interesat e saj përballë sanksioneve të reja amerikane, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin një përshkallëzim të mëtejshëm.
 
FARIJE DAUTI BAKIU