Maqedoni
QMK: 29 zjarre në hapësira të hapura brenda 24 orëve, tre ende aktive
25.08.2026 09:25
Gjatë 24 orëve të fundit në territorin e vendit janë regjistruar 29 zjarre në hapësira të hapura...

Gjatë 24 orëve të fundit në territorin e vendit janë regjistruar 29 zjarre në hapësira të hapura, nga të cilat tre janë ende aktive, një është vënë nën kontroll, ndërsa 25 janë shuar plotësisht, informon Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).
Gjendja më serioze është në zonën ndërmjet komunave Studeniçan dhe Zelenikovë, ku zjarri po përhapet nga Morane, Vërtekica dhe Ramni Gaber drejt Paligradit, si dhe mbi fshatin Vrazhale. Është përfshirë pyll i përzier.
Aktive janë edhe zjarret në fshatin Trnovo të Gostivarit, ku po digjet pyll i përzier, si dhe mbi fshatin Nezhilovë në Komunën e Çashkës, ku zjarri ka përfshirë dëllinjë.
Zjarri pranë fshatit Tajmishte të Kërçovës, në lokalitetin Darda, është vënë nën kontroll. Atje ishte përfshirë pyll ahu me trungje të larta.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shuar edhe 25 zjarre në lokacione të ndryshme në vend, ndër të tjera në Strumicë, Vasilevë, Dellçevë, Kumanovë, Jegunovcë, Gostivar, Vrapçisht, Demir Hisar, Probishtip, Ilinden, Saraj, Çair, Studeniçan, Haraçinë, Makedonski Brod, Novaci, Petrovec, Berovë, Karbinci dhe Çeshinovë-Obleshevë.
