Maqedoni
Shporta shkollore sot në mbledhjen e Qeverisë
25.08.2026 09:50
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë do të merret vendim për masën „shporta shkollore“...

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë do të merret vendim për masën „shporta shkollore“. Me këtë masë synohet të parandalohet rritja e çmimeve të mjeteve shkollore para fillimit të vitit të ri shkollor. Ministria e Ekonomisë dhe tregtarët janë dakorduar për uljen e çmimeve deri në 15 për qind.
Në listë janë përsëri produktet më të nevojshme, nga çantat dhe fletoret, deri te stilolapsat, lapsat, ngjyrat dhe markerët. Ndryshe nga dy vitet e kaluara, këtë vit do të zbatohet një model tjetër. Çdo dyqan do të krijojë paketën e vet, ndërsa çmimi do të varet nga produktet që do të përfshihen, marka dhe cilësia e tyre. Sipas institucioneve kompetente, „shporta shkollore“ gjatë dy viteve të fundit u ka mundësuar familjeve të kursejnë rreth 2 mijë denarë për nxënës.
Megjithatë, dita e parë e shkollës ende sjell një shpenzim të konsiderueshëm. Për pajisjet bazë të një nxënësi të klasës së parë nevojiten të paktën 5 mijë denarë, ndërsa për ata që duan pajisje më të kompletuara, shpenzimi varion nga 7 deri në 10 mijë denarë.
