Maqedoni
Vazhdon gjykimi për zjarrin në „Puls“
25.08.2026 10:37
Në sallën e gjyqit në Idrizovë sot vazhdon gjykimi për zjarrin në diskotekën „Puls“ në Koçan...

Në sallën e gjyqit në Idrizovë sot vazhdon gjykimi për zjarrin në diskotekën „Puls“ në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u lënduan. Rasti është në fazën e administrimit të provave, ndërsa me përfundimin e ekspertizës ndërtimore pritet të përfundojë edhe paraqitja e provave nga Prokuroria.
Në seancën e kaluar, ekspertët e ndërtimtarisë iu përgjigjën pyetjeve të mbrojtjes, ndërsa në fokus ishin materialet e përdorura në objekt, veçanërisht sfungjeri poliuretanik për izolim akustik, si dhe rikonstruksionet dhe ndërhyrjet në konstruksion.
Mbrojtja e kontestoi edhe mënyrën se si ishin përcaktuar ndërhyrjet ndërtimore gjatë rikonstruksionit në vitin 2012, ndër të cilat edhe përforcimi i konstruksionit ndërmjet kateve me trarë çeliku.
Pas përfundimit të ekspertizës ndërtimore dhe marrjes në pyetje të ekspertëve nga ekipi i Fakultetit të Ndërtimtarisë pranë UKIM-it, pritet të përfundojë administrimi i provave nga Prokuroria, pas së cilës mbrojtja duhet të fillojë me paraqitjen e provave të saj.
Zjarri në diskotekën „Puls“ shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë performancës së grupit DNA. Në zjarr humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan.
