Maqedoni

Politikë, vazhdojnë përplasjet mes VLEN-it dhe BDI-së

25.08.2026 13:38

Përplasja politike mes VLEN-it dhe BDI-së vazhdon edhe pas seancës së parë gjyqësore për rastin ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi....

Përplasja politike mes VLEN-it dhe BDI-së vazhdon edhe pas seancës së parë gjyqësore për rastin ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi. VLEN-i ka ngritur pikëpyetje mbi mundësinë që Grubit t’i jetë ofruar një marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë dhe një dënim më të lehtë, ndërsa BDI e zhvendos kundërsulmin te akuzat për korrupsion dhe ndërtime në Çair. VLEN-i pretendon gjithashtu se vazhdimi i masës së arrestit shtëpiak ndaj Grubit përbën presion shtesë ndaj tij që të lidhë marrëveshje para fillimit të gjykimit dhe ngre pikëpyetje edhe për mungesën e bashkëpunëtorit të tij, Përparim Bajrami, në proces. 
 
"Supozohet se Artan Grubi është bindur të lidhë marrëveshje me Prokurorinë, të pranojë fajësinë, të marrë një sanksion dukshëm më të lehtë, por në këtë mënyrë edhe t’i japë fund të gjitha ambicieve për të udhëhequr BDI-në. Sipas burimeve tona, Ali Ahmeti ka vlerësuar se gjykimi është shumë i rrezikshëm, pasi temperamenti i Grubit është i tillë që ai përmes mediave mund t’ia gërryejë rejtingun BDI-së. Grubi, siç thuhet, tashmë kishte intervista të dakorduara, pasi ishte bindur se ndaj tij nuk do të ngrihej aktakuzë, por më pas ishte befasuar në mënyrë të pakëndshme.", thuhet në reagimin e VLEN-it.
 
Në reagimin e saj, BDI përmend pretendime për mbi 252 milionë euro dëm nga ndërtime që i cilëson si kriminale dhe të paligjshme në Çair, duke i lidhur ato me Izet Mexhitin. Partia përmend edhe pretendime për miliona euro të ndara gjatë mandatit të tij si ministër, si dhe raste të tjera që, sipas BDI-së, lidhen me Burim Latifin dhe Nedim Ramën. BDI kërkon drejtësi joselektive dhe gjyqësor të pavarur.
 
"Në vend që t’i përgjigjet opinionit për mbi 252 milionë euro dëm nga ndërtimet kriminale dhe të paligjshme në Çair të lidhura me Izet Mexhitin, për milionat e ndara në mënyrë të paligjshme gjatë mandatit të tij si ministër, për 19 milionë eurot në rastin e Burim Latifit, për milionat e keqpërdorura nga Nedim Rama dhe raste të tjera, mendësia kriminale e VLEN-it prodhon çdo ditë komplote. E vetmja gjë që arrin të realizojë është nënshtrimi i plotë ndaj VMRO-DPMNE-së, me shpresën se kështu do të mbulojë korrupsionin dhe do të fitojë mëshirë politike.”, thonë nga BDI.
 
FLORIJE KAMBERI