Maqedoni

Telekomi i Maqedonisë: ruajmë privatësinë e qytetarëve

17.06.2015 16:22

Edhe një herë T-Mobile dhe Telekomi i Maqedonisë sigurojnë opinionin se punojnë sipas parimeve ligjore dhe respektojnë privatësinë e qytetarëve gjatë bisedave telefonike...

Këtë e deklaruan organet drejtuese të këtyre kompanive, duke u përgjigjur në pyetjen se sa qytetarët do të jenë të sigurt nga përgjimet, duke pasur parasysh faktin se opozita deklaron se rreth 26 mijë qytetarë janë përgjuar në mënyrë joligjore.
 
“Punojmë në suaza të strategjisë së Dojçe Telekom dhe mund të vërtetojmë se të gjithë shfrytëzuesit janë të sigurt, se procedurat që kanë të bëjnë me këtë problematikë janë të implementuara dhe absolutisht mund të ju vërtetojmë se të dhënat e shfrytëzuesve janë të sigurta”- deklaroi drejtori ekzekutiv i Telekomit të Maqedonisë, Andreas Maierhofer.
 
“Ne dhamë raport të mjaftueshëm për atë se punojmë sipas parimeve ligjore që ekzistojnë në vend. Ne u përgjigjëm për të gjitha akuzat drejt kompanisë dhe me dëshmi themi se kjo nuk ka asnjë lidhshmëri me kompaninë”- tha drejtori kryesor operativ i Telekomit të Maqedonisë, Zharko Llukovski.
 
Ndryshe, sot edhe zyrtarisht T-Mobile dhe Telekomi i Maqedonisë u bashkuan. Kompania e re do të fillojë punën prej një korrikut. 
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI