Maqedoni
Bashkëpunimi ndërkufitar RMV – RKS, pikat e përbashkëta të kontrollit, histori suksesi
25.08.2026 14:07
Llugaliu priti në takim zyrtar Nikollovskin dhe Dautin

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, priti në takim zyrtar drejtorin e përgjithshëm të Doganave të Maqedonisë së Veriut, Boban Nikollovski, dhe zëvendësdrejtorin Mustafa Dauti. Në takim u diskutua për bashkëpunimin dhe reformat doganore ndërmjet dy vendeve. Dy drejtorët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit në realizimin e reformave, ndërsa e cilësuan si histori suksesi funksionimin e pikës së përbashkët të kontrollit “One Stop Shop” në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“E di gjithashtu se edhe pika e përbashkët e kontrollit, “One Stop Shop”, në vendkalimet kufitare në Hanin e Elezit - Bllacë, Glloboçicë - Jazhincë Bllacë, është një histori suksesi që kemi pasur. Kemi marrë një vlerësim shumë pozitiv nga të gjithë aktorët për këtë proces dhe gjithashtu është shumë e rëndësishme që qytetarët e të dyja vendeve janë shumë pozitivë për këtë. Gjithashtu, e mirëpres zëvendësdrejtorin e përgjithshëm për investime doganore dhe presim që, së bashku me të gjitha ekipet, të punojmë në këtë agjendë të gjerë se si mund ta zhvillojmë bashkëpunimin tonë në të ardhmen, duke u mbështetur në bashkëpunimin tradicional ekzistues që kemi pasur në mënyrë shumë efikase me Doganën e Maqedonisë së Veriut.”, - deklaroi drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu.
“Është kënaqësi për mua dhe për të gjithë ekipin tim të administratës doganore që jemi këtu. Jemi shumë të kënaqur që jemi këtu me ftesën tuaj. Po ju ndjek nga afër, se si po punoni dhe si po e bëni punën tuaj, dhe shoh se po e bëni punën tuaj shumë mirë. Suksesi ynë është se po punojmë së bashku dhe po shohim suksesin e të dyja palëve, dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne si administratë doganore.”, - theksoi drejtori i Doganave të RMV-së, Boban Nikollovski.
Njëherësh u diskutua edhe për digjitalizimin e proceseve doganore, përafrimin me standardet e BE-së dhe mënyrat për ta forcuar bashkëpunimin në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit ndërkufitar.
GYLTENE SINANI
