Maqedoni

Zbatimi më i shpejtë i reformave, Sali: Ekspertizë dhe përgjegjësi institucionale

25.08.2026 14:41

U prezantua mekanizmi i propozuar nga Kombet e Bashkuara për të siguruar mbështetje të shpejtë dhe të synuar me ekspertizë për institucionet përgjegjëse për zbatimin e reformave...

Në Qendrën për Trajnime të Ministrisë për Çështje Evropiane, u prezantua mekanizmi i propozuar nga Kombet e Bashkuara për të siguruar mbështetje të shpejtë dhe të synuar me ekspertizë për institucionet përgjegjëse për zbatimin e reformave, i njohur si Strategic Priorities Expertise Facility (PREF).
 
Në hapje të takimit, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, theksoi rëndësinë e këtij mekanizmi në një periudhë kur institucionet po punojnë paralelisht në zbatimin dhe planifikimin e reformave që duhet të japin rezultate konkrete dhe të matshme.
 
“Zbatimi i angazhimeve nga Agjenda e Reformave do të përcaktojë jo vetëm ritmin e progresit tonë në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, por edhe cilësinë dhe kredibilitetin e procesit më të gjerë të integrimit evropian. Prandaj, çdo hap reformues duhet të trajtohet me seriozitet, përgjegjësi profesionale dhe fokus të fuqishëm te rezultatet.”, theksoi Sali, duke nënvizuar se ekspertiza e jashtme nuk e zëvendëson përgjegjësinë institucionale.